TIRANE-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe ambasadori i Irlandës në Shqipëri, Charles Sheehan një zëri kanë deklaruar se ka ardhur momenti për intensifikimin e marrëdhënieve dy palëshe.
Gjatë takimit që kryetari Meta zhvilloi sot me ambasadorin e Irlandës në Shqipëri, rezident në Athinë, Charles Sheehan, vlerësoi mbështetjen e Irlandës ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe theksoi se miratimi i statusit të kandidatit në BE, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit, do të krijonte një shtysë të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij, Ambasadori Sheehan, pasi bëri një vlerësim të tranzicionit demokratik të qeverisë dhe funksionimit të legjislaturës së re parlamentare, nënvizoi se ka ardhur momenti për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Duke biseduar mbi integrimin evropian, Ambasadori Sheehan shprehu mbështetjen e Irlandës për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
(m.s/BalkanWeb)