konferenca e kryetareve

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve nisi me tension të lartë.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e kishte problemin me kreun e Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj.

Meta e akuzoi se nuk e ka mbledhur komisionin, madje tha se ai ka bërë insinuata.

Teksa bënte këto deklarata, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve mungonte vetë Xhafaj dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi.

Ndërsa tensioni shtohej, Xhafaj dhe Ruçi mbërritën në sallën e Kuvendit me një makinë.

Me të mbërritur Xhafa, menjëherë Meta i kërkoi të jepte shpjegime se përse nuk e ka mbledhur komisionin pasi u arrit marrëveshja.

Xhafaj i kërkoi Metës që të ulte zërin.

"Unë nuk marr urdhra," tha Xhafaj.

"Të kemi dëgjuar që thua me qetësi e dashuri, ty dashuria të ka ikur, të paktën ruaj qetësinë," tha Xhafaj.

"Komisioni nuk mblidhet për të lexuar letrën e komisionerit Hahn. Komisioneri Hahn nuk është marrëveshje, është letër dhe letra duhet të kthehej në marrëveshje. Projekti kushtetues që ne kemi ka aktorë dhe ndërkombëtarët. Duhet të hyjmë në organizata ku rregullat e lojës i përcaktojnë ndërkombëtarët", tha Xhafaj, i cili shtoi se ajo që e ka bojkotuar rregullisht këtë komision ka qenë opozita.

Ndërsa, kreu i grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili u shpreh se mbledhja një ditë më parë duhet të ishte mbajtur për të mos penguar seancën e sotme në Kuvend.

"Mbledhja duhet të kishte një karakter të mirëfilltë procedural," theksoi ai.

Petrit Vasili tha më tej se pika e mbetur pezull, ajo e vetingut, sot nuk mund të shkojë në seancë.

"Negociatorët politikë janë shqiptarë, të huajt asistojnë. Por negociatorët nuk erdhën, nuk duhet të kishim mbetur në këtë situatë që jemi aktualisht, kemi apo jo një draft. Po na kërkohet të votojmë një gjë që nuk është miratuar ende", tha Vasili.