Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot personalitetet  e shquara arbëreshe, Imzot Giorgio Demetri Gallaro, Arqipeshkv i Piana degli Albanesi, Profesor Mateo Mandala Universiteti Palermos dhe Profesor Francesko  Altimari Universiteti i Cozencas.


Presidenti Meta vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të profesorëve të nderuar arbëreshë në fushën e studimit të gjuhës shqipe dhe të shkencave të Albanologjisë dhe rolin frymëzues shpirtëror në Piagna degli Albanesi të Arqipeshkvit Imzot Gallaro.


Elita intelektuale e arbëreshëve të Italisë, me përkushtimin dhe dashurinë ndaj mëmëdheut të tyre, kanë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave, dokeve e riteve të të parëve, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj, nënvizoi presidenti Meta gjatë takimit.


Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka jo vetëm për arbëreshët dhe shqiptarët, por edhe për Italinë si dhe për kulturën botërore, trashëgimia e komunitetit arbëresh, historia, traditat e tyre si një vlerë jomateriale e kulturës botërore në kuadër të UNESCO-s.


Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin arbëresh, intelektualët dhe shoqatat e tyre në Itali për të organizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të vitit të Skënderbeut, të kësaj figure përbashkuese dhe emblematike për kombin tonë.