Presidenti i Republikës,  Ilir Meta priti dhe bashkëbisedoi me një delegacion të Senatit të SHBA-së, të kryesuar nga Senatori Roy Blunt, të cilët po zhvillojnë një vizitë pune faktembledhëse në disa vende të Ballkanit Perëndimor.


Kreu i Shtetit shqiptar dhe senatorët amerikanë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, kontributin e Shqipërisë në NATO dhe rolin e saj stabilizues në rajon.


Bashkëbiseduesit vlerësuan vizitën në Malin e Zi të zëvendëspresidentit të SHBA-së Mike Pence dhe mesazhet e tij të qarta mbi çështje të sigurisë rajonale, ato të koordinimit të veprimeve në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.


Meta nënvizoi se siguria është baza e prosperitetit dhe zhvillimit të rajonit tonë, ndaj bashkëpunimi kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar me SHBA-në dhe NATO-n është vendimtar për të ardhmen e sigurt të vendeve tona dhe qytetarëve tanë.


12 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)