Presidenti Ilir Meta ka refuzuar dekretimin e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm. Kreu i shtetit rendit arsyet e kthimit të dekretit duke theksuar se ai nuk ka përvojë si dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës. Kjo është hera e parë që një president refuzon dekretimin e një ministri.


Në përgjigjen që i ktheu Kryeministrit Edi Rama, Meta tha se Cakaj nuk ka përvojë si dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës.


Po ashtu shtoi se gjatë detyrës si zv.ministër i Jashtëm ka treguar mungesë të theksuar përgjegjshmërie.


Kandidatura e Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në këto kushte, Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese si Kreu i Shtetit, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare  dhe rolit të rij specifik kushtetues në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, refuzon propozimin tuaj për emërimin e Gent Cakaj në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, thuhet në arsyetim.


Më tej Meta deklaroi se mënyra se si Cakaj është pajisur me certifikatën e sigurisë, vetëm brenda një dite, nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.


Gent Cakaj u propozua të emërohet nga kryeministri Edi Rama në postin e lënë bosh nga Ditmir Bushati, i cili u shkarkua nga kryeministri gjatë Asamblesë Kombëtare që u mbajt më 28 dhjetor.


Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka reaguar pas refuzimit të presidentit Ilir Meta për dekretimin e ministrit të ri për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Ai i kërkoi sot ndjesë Kosovës për refuzimin e Cakajt.


Kreu i qeverisë u shpreh se ky refuzim është jo vetëm antikushtetues, por edhe i turpshëm.


Refuzimi i Presidentit për dekretimin e Ministrit të ri për Europën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm. Argumentet e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp, thekson Rama.







10 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)