Gjermania: Kriza politike të zgjidhet me dialog

Kriza politike shqiptare duhet të zgjidhet përmes dialogut parlamentar. Ky mesazh i është bërë prezent ministrit të Jashtëm, shqiptar, Ilir Meta, nga homologu i tij gjerman, Guido Westerwelle, në një takim të veçantë dje në Berlin. Zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme ka informuar dje se në bisedën e zhvilluar diplomati gjerman ka nënvizuar nevojën e vijimit të komunikimit mes palëve, madje duke hequr dorë nga kushtëzimet politike për miratimin e reformave të nevojshme të integrimin e vendit. “Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, ministri Westerwelle theksoi rëndësinë e dialogut politik dhe kapërcimin e mosmarrëveshjeve midis palëve brenda Parlamentit, pasi mirëfunksionimi i tij është shumë i rëndësishëm për reformat që kërkon integrimi europian i vendit”, citon zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme. Rëndësinë vizitës ia ka shtuar edhe prononcimi i zv.kancelarit gjerman për sa i përket liberalizimit të vizave, që sipas vlerësimit të tij ka mbështetjen e plotë të Berlinit zyrtar. “Zv.kancelari dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Westewelle, konfirmoi mbështetjen e plotë të Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, duke evidentuar progresin e bërë nga Shqipëria sipas raportit të vlerësimit të Komisionit Europian në maj 2010”, citohet nga diplomati gjerman.








#