Një delegacion parlamentar nga Çekia, që kryesohej nga Jaroslav Faltýnek, mbërriti sot në zyrën e Presidentit Ilir Meta, ku u zhvillua një takim konstruktiv i përqëndruar te idetë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.


Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë e Çekisë dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është intensifikuar ndjeshëm në vitet e fundit në të gjitha fushat.


Duke qenë se Faltýnek është kryetar i Komisionit të Bujqësisë në Parlamentin çek, në takim u diskutua edhe për modernizimin e këtij sektori në Shqipëri, por edhe zhvillimin e agro-turizmit dhe industrisë ushqimore.


Ndërkohë, Kreu i Shtetit kërkoi edhe një linjë ajrore që të lidh dy kryeqytetet.


Ne ju jemi shumë mirënjohës të rinjve dhe të rejave çekë të cilët kanë treguar një lidership të shkëlqyer për eksplorimin dhe promovimin ndërkombëtar të shumë bukurive të rralla dhe të panjohura të turizmit tonë malor. Ka ardhur koha që të kemi një linjë ajrore direkte mes Pragës dhe Tiranës, funksionale gjatë gjithë vitit, që do ti fuqizonte akoma më tepër marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë, tha Meta.


18 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)