Tiranë, 1 mars, NOA - Ministri i Punëve të
Jashtme, Ilir Meta priti presidentin e Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Tekin
Küçükali. Gjatë takimit, i shoqëruar edhe nga presidenti i Kryqit të Kuq shqiptar,
Shyqyri Subashi, Meta shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për ndihmën dhe
mbështetjen që Gjysmëhëna e Kuqe Turke i ka dhënë Shqipërisë si dhe vlerësoi
bashkëpunimin e ngushtë me Kryqin e Kuq shqiptar. Në këtë kuadër, ai nënvizoi marrëdhëniet e
shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Turqisë në të gjitha nivelet.



Gjithashtu, Meta tha se në bashkëpunim me
Kryqin e Kuq, qeveria shqiptare i ka shtuar një dimension të ri misionit të saj
diplomatik, atë të diplomacisë humanitare.

Küçükali nga ana e tij, shprehu kënaqësinë e
tij për vizitën në Shqipëri si dhe vlerësoi kontributin e dhënë nga Kryqi i Kuq
Shqiptar për tiu gjendur pranë shqiptarëve në momente të vështira.



Küçükali gjithashtu tha se miqësia
tradicionale që ekziston mes dy popujve, është transformuar në një bashkëpunim
të ngushtë si në nivelin politik, ashtu edhe në atë humanitar.



Në këtë kuadër, presidenti i Kryqit të Kuq
Shqiptar, Subashi, shtoi se Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke do
të vazhdojnë të punojnë ngushtë në ndihmë të qeverive përkatëse në funksion të
misionit të përbashkët humanitar.



n.e/NOA