Migen Memelli nuk pushon së shënuari në Kupat e Europës. Sot sulmuesi shqiptar i skuadrës norvegjeze SK Brann Bergen shënoi tre golat në ndeshjen Brann Bergen (Norvegji)-Atvidaberg (Suedi) të vlefshme për Kupën UEFA, të përfunduar fatkeqësisht 3-3.
Memelli, edhe një bisedë të disa ditëve më parë me albania-sport.com, pohoi se gëzonte një formë të mirë dhe do të ishte pjesë e 11-shes startuese, por kurrsesi nuk e kishte menduar se do të shënonte një hart-trik.
"Goleada" Memelli nisi në minutën e 2 të takimit, ndërsa 22 minuta më vonë, ai dyfishoi rezultatin në 2-0 në të 24'.
Miqtë nga Suedia barazuan rezultatin me anë të Haglund (27') dhe Bergstrom (48').
Migen Memelli u përgjigj edhe njëherë në të 59' duke shënuar golin e tretë për ekipin e tij, por shtatë minuta përpara përfundimit, Karlson barazoi për Atvidaberg 3-3.
Memelli u ngjit në kuotën e 4 golave të shënuar në ndeshjet ndërkombëtare, pas atij të realizuar kundër Glentoranit (1-0).
Memelli jep kështu një tjetër sinjal të qartë se e meriton të thirret nën "armë" nga trajneri i Kombëtares, Oto Baric.
Dash Frashëri.