Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 11:22

Fiorentina e Valon Behramit ka shënuar fitore në shtëpi përballë Genoas 1:0, duke i dhënë fund serisë negative. Kjo ndeshje ishte e para për kosovarin në stadiumin ‘Artemio Franchi’, që prej transferimit të tij gjatë janarit nga klubi anglez West Ham.



Reprezentuesi i Zvicrës në këtë përballje ishte titullar, derisa në minutën e 59’të i ka liruar vendin Cercit. Trajneri serb i klubit viola, Sinisa Mihajloviç, ka thënë se 24 vjeçari ishte më meritori për fitore.



“Behrami na ka dhënë fuqi shtesë dhe përqendrim më të madh në fushë, pavarësisht faktit se është ende në 50 për qind të formës fizike. Ai ishte vendimtar në fitore”, ka thënë Mihajloviç pas ndeshjes.



“Është fitore e rëndësishme dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Futbollistët e dhanë maksimumin e tyre në fushë dhe kur luajnë kështu është vështire për ne të humbim. Kjo paraqitje është ajo që kërkuan tifozët”, ka shtuar ish reprezentuesi i Serbisë.



Skuadra nga stadiumi ‘Artemio Franchi’ nuk e ka nisur edhe mirë këtë sezon. Pas 22 xhirove të zhvilluara në Serie A, Fiorentina zë vendin e 11-të në renditje tabelore me 28 pik të tubuara, derisa ka një takim më pak të zhvilluar.