Tashmë është zyrtare: Te Milani ka përfunduar një cikël. Pas lamtumirës së Alesandro Nestës, nga kuqezinjtë zyrtarizohen edhe largimet e Xhenaro Gatuzos dhe Filipo Inzagit. Gatuzo konfirmoi largimin nga “Djalli”, pas një takimi të zhvilluar me Galianin, që nuk solli fundin e lumtur.



Ndryshe nga katër vjet më parë, kur administratori i klubit e bindi mesfushorin luftarak të mos transferohej te Bajerni, tashmë palët nuk kanë gjetur akordin për rinovimin e kontratës. Kjo ka bërë që Gatuzo të vendosë të tërhiqet nga futbolli I luajtur, ndërsa ai vetë konfirmoi se vendimi erdhi për t’I hapur rrugën lojtarëve të rinj.



Gatuzo do të qëndrojë një vit pushim dhe më pas do të takohet me drejtuesit e Milanit për të shqyrtuar mundësinë që të qëndrojë te kuqezinjtë, këtë herë si pjesëtar i stafit. “Nuk kishte më hapësirë për mua, por u ndamë si miq. Kjo është thjesht një mirupafshim”, ishin fjalët e 34-vjeçarit.



Trishtimi për tifozët e Milanit në këtë ditë lamtumirash mori përmasa edhe më të mëdha, pasi Inzagi, ikona e golave kuqezi dha lamtumirën. Sulmuesi zgjodhi të konfirmonte largimin nëpërmjet një letre prekëse, të publikuar në faqen zyrtare të klubit.



“Gjithçka që lexoni është dytësore, përveç faktit që kam luajtur dhe fituar për ne. kemi bërë shumë gjëra sëbashku, kemi shpresuar, kemi vuajtur, kemi fituar dhe kemi festuar. Këtë nuk mund të na e heqë askush”, lexohej në një pjesë të letrës së hapur, ku nuk munguan as falënderimet për Galianin dhe presidentin Berluskoni.



Tashmë pritet edhe largimi i mesfushorit Klarens Sedorf, një tjetër ikonë e skuadrës së Karlo Ançelotit. Me lamtumirat e të gjithë këtyre emrave të mëdhenj, ky do të jetë revolucioni më i madh te Milani pas verës së 2009-ës, ku nga skuadra u larguan Paolo Maldini dhe Rikardo Kaka.