Një mbrojtës i jep fitoren Interit përballë Genoas. Danilo DAmbrosio shpëtoi Interin me golin e realizuar tre minuta përpara fundit të ndeshjes. Një sukses i vuajtur për skuadrën e Spallettit, ku ndeshja e zikaltërve ndryshoi me aktivizimin e talentit 19-vjeçar Karamoh.


Genoa e kishte të vështirë të reagonte pas rrjetës së DAmbrosios, edhe sepse miqtë e mbyllën ndeshjen me 9 lojtarë, pas kartonëve të kuq të Omeongas dhe Taarabt në kohën shtesë. Interi u kthye te fitorja pas barazimit me Bologna-n dhe ngushton me 2 pikë diferencën me Napolin dhe Juventusin që kryesojnë Serinë A me 18 pikë të plota.


Larg nivelit të pritur edhe Milani, me kuqezinjtë që zhgënjyen jo vetëm me lojë, por edhe me rezultat. Skuadra e Montellas u mposht në mesditë 2-0 në fushën e Sampdorias. Duvan Zapata zhbllokoi ndeshjen në të 72-ën, i asistuar gabimisht me kokë nga Zapata i kuqezinjve, ndërsa Alvarez në minutën e parë të shtesës mbylli çdo diskutim.


Ky ishte një hap mbrapa për Milanin, që pësoi humbjen e dytë në tre ndeshje të luajtura jashtë fushe në kampionat.


Fitore e pastër 3-0 për Lazion e Thomas Strakoshës në fushën e Veronës. Ciro Immobile ishte protagonist absolut me dy gola në pjesën e parë. Fillimisht sulmuesi shënoi me 11-metërsh, ndërsa në të 41-ën dyfishoi shifrat pas asistit të Marusic. Kur kronometri tregonte një orë lojë, ishte Immobile ai që shërbeu për Marusic, me malazezin që realizoi golin e tretë për Lazio-n.


24 shtato4 2017 (gazeta-Shqip.com)