Humbje e rëndë për Milanin e Gattusos në transfertë ndaj Veronas. Kuqezinjtë u mposhtën pastër 3-0 në Bentegodi, duke e vënë në një pozicion shumë të vështirë Ringhion, i cili e mori drejtimin e Djallit me shpresën që do të ndryshonte diçka sa u përket rezultateve që ekipi kishte marrë me Montellan. Por ajo që po ndodh në kampin kuqezi është për të ardhur keq. Pas barazimit të turpshëm 2-2 me Benventon dhe fitores së vështirë 2-1 në San Siro me Bolognan, vjen dhe disfata e parë në kampionat për Gattuson, që praktikisht i nxjerr nga gara për Championsin kuqezinjtë.


Caracciolo i dha shuplakën e parë Milanit pas një goditjeje këndi në minutën e 24-t, ndërsa në fraksionin e dytë, pikërisht në të 55-ën, Kean realizoi të dytin, me mbrojtjen kuqezi që la shumë për të dëshiruar. Atëherë kur pritej reagimi i Milanit, veronezët realizuan të tretin me Bessan, për ta vrarë përfundimisht ndeshjen. Asgjë smund të bënte formacioni i Gattusos në minutat e mbetura, madje në kohën shtesë Suso u ndëshkua me karton të kuq, duke marrë një humbje turpëruese, që kërkon një analizë të thellë.


17 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)