I lindur në Itali 20 vjet më parë nga baba tunizian dhe nënë italiane, me disa precedentë penalë, mes të cilëve njëri për drogë. Është ky identikiti i Ismail Tommaso Ben Yousef Hosni, italo-tuniziani, i cili të enjten plagosi me thikë një agjent të policisë dhe dy ushtarakë në stacionin qendror të Milanos.


Raportohet se i riu ka qenë një hajdut rrugësh, frekuentues i përhershëm i stacionit milanez. Para se të mbërrinte në stacion, që e kishte kthyer si shtëpinë e tij të dytë, 20-vjeçari jetonte me babanë dhe nënën, të dy sipas shtypit italian me precedentë.


I ati ka qenë i arrestuar në të shkuarën për përdhunim, dëmtim të pronës, vjedhje dhe shantazh, ndërsa nëna, ka qenë e dënuar me 8 vjet burg me akuzën për dhunë private, keqtrajtim dhe akte seksuale me minorenë, të kryer mes vitit 1999 dhe 2006. Në 2015-ën familja e tij është transferuar nga Pulja, vendi i origjinës së gruas, në Milano, në një lagje periferike, por problematike sa i takon shpërndarjes së drogës.


I riu nuk rezultonte në listën e anti-terrorit si ndonjë simpatizant i ISIS-it. Hetuesit, të cilët duan të kuptojnë qëllimin e agresionit, kanë vënë re se si në kohët e fundit 20-vjeçari kishte rritur mjekrën, një shenjë ndoshta që mund ta afronte me radikalizmin, – shkruan Corriere della Sera.


Por në profilin e tij në Facebook, Hosni kishte postuar një video të ISIS-it. Përkthimi në arabisht i komentit të të riut që shoqëron materialin, është: Himni më i bukur i Shtetit islamik që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time.



19 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)