Rreth 90 minuta ka zgjatur takimi verbal mes drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tare, dhe serbit Sergej Milinkovic. Ata u ballafaquan dhe folën sy më sy për atë që është kthyer në një temë të nxehtë të merkatosSi në një ndeshje shahu, lëvizja strategjike e Tares ka qenë propozimi për rinovimin e menjëhershëm të kontratës, që do ti mbyllte kështu dyert e largimit mesfushorit 23-vjeçar, për sa kohë që klubi mbretëror (Real Madrid) nuk e rrit ofertën praprake për të.


Interesimi i Realit është kthyer në një hije që përndjek drejtuesit Lazios, edhe pse Presidneti Florentino Perez nuk ka ndërmend ta rritë ofertën fillestare për gurin e çmuar të organikës bardhekaltër, sikundër janë pritshmëritë e Lotitos. Presidenti i Lazios kërkon 150 milionë euro për mesfushorin 23 -vjeçar edhe pse mund të negocinte deri në 120 milionë. Nëse mesfushori do të qëndrojë në Romë, atëherë rinovimi do të jetë hapi i radhës për të me një kontratë të rishikuar që do ti dyfishonte pagën nga 1.5 në 3 milionë euro.


Madrilenët prej gati dy vjetësh kanë fokusuar në radarët e tyre Milinkovic-Savic, me serbin që mbetet i dyzuar, pasi loja shtrohet mes Lotitos që i thotë jo propozimit prej 100-110 milionë eurove dhe mund të japë rinovimin e majmë dhe Los Blancos që synojnë të arrijnë shërbimet e tij për një shifër më të ulët nga sa pretendohet, duke përfituar nga faktori kohë. Me pretendentët anglezë që dolën jashtë loje pas përfundimit të merkatos në Premier League dhe Juventusit që duket se nuk do të afrohet për një shifër të tillë, përgjigjja mbi këtë çështje do të vijë për punë ditësh.


10 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)