Shkup -Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski i ka dërguar një letër homologes greke Dora Bakojanis, ku i kërkohet përmirësimi i marrëdhënieve midis Athinës dhe Shkupit. “Në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale dhe me qëllim të zhvillimin të bashkëpunimit kufitar mes dy vendeve më lejoni ta theksoj dobinë që mund të përfitojmë me realizimin e iniciativës, ndërtimin e një vendkalimi të ri kufitar në vendin “Markova Noga-German”- shkruhet ndër të tjerash në letrën e Miloshoskit.



Kryediplomati maqedonas theksoi se Maqedonia është e përcaktuar të ndërtojë marrëdhënie të mira me Greqinë e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s. Ai ka theksuar se vendkalimi kufitar i lartë përmendur do të ndikonte pozitivisht në rritjen e komunikimit mes qytetarëve të Maqedonisë dhe Greqisë, që gravitojnë në këtë rajon. Sipas tij hapja e vendkalimit kufitar do të ndikonte edhe në zhvillimit e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe do ishte në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit trilateral mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë. Lidhur me këtë projekt Miloshkoski ka propozuar edhe një takim me diplomaten greke.