Pas Rrugës së Arbrit dhe aksit Thumanë-Kashar, qeveria ka shpallur fituesin edhe për koncesionin e tretë të madh në infrastrukturë, atë të rrugës Milot-Balldren.


Ministria e Energjisë përzgjodhi kompaninë ANK, me pronar të vetëm Agim Kolën, si fituesen e koncesionit me vlerë 161.5 milionë euro, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldren.


Pas përfundimit të tenderit, Ministria e Energjisë dhe kompania do të negociojnë kontratën dhe vetëm pas negociimit do të shpallet vlera përfundimtare e këtij projekti.


Sipas dokumentave të tenderit, kompania ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 kilometër të gjatë nga Miloti në Balldren me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet.


Fillimisht, kostoja e rrugës Milot-Balldren ishte parashikuar 50% më e ulët. Në relacionin e buxhetit të shtetit për vitin 2018, qeveria ka vendosur si fond total për këtë rrugë vlerën 14.2 miliardë lekë ose rreth 113 milionë euro. Por, 7 muaj më vonë kostoja e rrugës u rrit në 161.5 milionë euro. Sipas ministrisë, arsyeja ishte ndryshimi i projektit të kësaj vepre, ku u përfshinë dhe ndërtimi i rrugëve dalëse dytësore.


Milot-Balldren është vepra e tretë e paketës 1 miliard euro, e lindur si një koncesion i pakërkuar, pra jo si projekt i qeverisë, por i propozuar nga vetë kompania ANK. Edhe këtë radhë, ashtu si në dy herët e mëparshme, tenderi është fituar nga kompania që ka bërë ofertën e pakërkuar të koncesionit.


Më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur publikisht shqetësimet se këto koncesione kufizojnë konkurrencën duke paracaktuar fituesit, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi hapur qeverisë të ndërpresë programin 1 miliard euro si të rrezikshëm për financat e shtetit.


22 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)