Ajo është një fabrikë moderne që mban emrin e një prej fëmijëve të çiftit Çaça, Mimozës dhe Aqifit, të cilët janë edhe sipërmarrës të kësaj fabrike. Gjendet në komunën Synej, fare pak kilometra larg Kavajës. “Mirel” do të thotë prodhime dhe produkte qumështi. Ku hyjnë: qumësht i pasterizuar ambalazhuar në shishe 1 lit dhe 1.5 lit, kos ambalazhuar në gota 350 gr, 0.5 kg dhe shishe 1 kg, djathë i bardhë feta i hapur dhe i ambalazhuar, djathë kaçkavall i hapur dhe i ambalazhuar, djathë kaçkavall i grirë në qeska 100, 150 dhe 200 gramshe, gjalp i hapur dhe i ambalazhuar, gjizë, salcë kosi, dhallë në shishe 0.50 lit dhe 1 lit. Të gjitha produktet mbajnë kohë përdorimi, ose konsumi të përditshëm por edhe nga 6 deri 15 ditë. Kapaciteti përpunues i qumështit me makineri moderne sot është 8 mijë litra në orë.


Qumështi vjen kryesisht nga fermerët e vegjël privatë të komunës Synej të Kavajës, por edhe nga zona e Lushnjes, komunat Tërbuf dhe Divjakë. Të gjitha produktet shpërndahen me 4 automjete tip frigoriferë në tregun e madh të Tiranës, ku klientët më të mëdhenj janë supermarketet: Conad, Euromax, Big Market, Extramarket, Mercator dhe dhjetra dyqane dhe minimarkete në kryeqytet, duke zënë kështu 60% të furnizimit. Klientë të mëdhenj në Durrës me 25-30%, Elbasan 15%, Kavajë, Lushnje, Librazhd, Gramsh, etj.Gjeografia sa vjen e rritet dhe klientët gjithnjë e më të kënaqur. Mimoza është një prej sipërmarrësve, shumë e përkushtuar pas punës, tregut dhe klientëve. Nën drejtimin e saj në fabrikë mbahet një regjim i fortë teknologjik pune, mjedise të pastra dhe kulturë e lartë profesionale. Mimoza ndalet herë pas here sa në një operacion pune, në tjetrin, sa tek furnizimi dhe laboratori, aq edhe tek makineritë e pasterizimit, përpunimit dhe ndarjes së produkteve, deri tek ambalazhimi. Në hyrje të fabrikës, ajo ka çelur edhe një dyqan të vogël për të gjithë banorët vendas, që duan ta blejnë qumështin dhe kosin, gjalpin dhe djathin e bardhë ose kaçkavall me aromën e fabrikës. Ndërsa vetë fabrika punon me standarde bashkëkohore, në përmbushje të kërkesave të Certifikatës ISO 2002, njohur nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe nga institucione ndërkombëtare të ushqimit në BE. Për hir të së vërtetës duhet thënë se fillimet e kësaj fabrike nuk kanë qenë kaq komode dhe moderne sa sot.


Menaxheri i fabrikës, z.Isuf Trimi thotë se themeluesi I fabrikës “Mirel” z.Aqif Çaça ka qenë dikur punonjës i një fabrike qumështi në Kavajë dhe pas prishjes së saj në vitin ‘92 vendosi të hapë një baxho përpunimi qumështi. Erdhi këtu, ndërtoi një baxho tepër modeste në një godinë shumë të vogël dhe pasi grumbullonte rreth 150-200 litra qumësht në ditë nisi edhe prodhimin. Qumështi, kosi dhe gjiza fillimisht përpunohej në një pajisje, ose kazan të madh, duke përdorur një furrë me dru zjarri. Qumështi shitej në treg me shishe qelqi 1 lit, edhe kosi. Ndërsa gjiza shitej e hapur me fuci druri. Hapi i parë thotë Isufi u bë në vitin 1997 me blerjen e një pajisjeje për përpunimin e qumështit nga Italia, me kapacitet përpunimi 3 mijë litra në orë. Më vonë investimi u rrit, për të ardhur deri tek pajisjet dhe makineritë moderne të sjella pas viteve 2000. Kjo është fabrika e përpunimit dhe produkteve të qumështit “Mirel”, por nëse dëshironi shkoni në autostradën Golem-Kavajë dhe në komunën Synej ndaluni. Atje, do të jeni të mirëpritur!


 


Nga Agim Pipa