Nga Gjergji Kajana


Në qendër të Tiranës është hapur një çadër që nuk mbron opozitën prej dyshimit mëse të justifikuar se ngre kërkesa maksimaliste (qeveri teknike, shtyrje e zgjedhjeve) për të evituar humbjen elektorale në 18 qershor. Me një batutë, mund të pohohet se PD ka kuptuar realitetin: e ndërgjegjshme se pushtetin se fiton dot në kutitë e votimit, e kërkon qeverinë në tavolinë.


Protesta e saj meriton të merret shumë seriozisht sepse nëse bojkotohen zgjedhjet ato do të humbasin shumëçka në besueshmëri morale. Në rrugën e mosnjohjes së institucioneve PD ka në dorë ta mbajë Shqipërinë si vatër krize në Ballkanin Perëndimor, pikërisht në një kohë të turbullt për këtë rajon tani që BE nuk mund të tundë karrotën e aderimit sepse po lufton për mbijetesë dhe Rusia kërkon të nxijë ujërat në gadishull duke mbrojtur autoritarët Dodik e Gruevski e mbase duke kërkuar (siç bëri në SHBA vjet) të ndërhyjë elektronikisht në zgjedhje. Mbajtja e Shqipërisë në krizë politike, veçse, largon edhe më tepër nga PD shumicën e shqiptarëve, që prej vitesh i qëndrojnë larg kësaj force ekstremiste.


Partia e Bashës & Berishës ka marrë 31% të votave të hedhura në 2013-n, 317.000 vota në 2015-n (nga një total prej 1.606.000 votash të hedhura) e në 2016-n ka humbur garën për kryebashkiak në Dibër e Kolonjë, dy nga zonat më të varfra shqiptare ku teorikisht mesazhi i saj antisistem duhet të ishte mazhoritar.


Në Top Story para pak ditësh sondazhisti Zaloshnja deklaroi se në fillim të shkurtit 59% e shqiptarëve të pyetur për një sondazh do të votonin koalicionin e majtë PS-LSI. 60% e 2200 të pyeturve për një tjetër Zaloshnja-sondazh janë kundër bllokimit të zgjedhjeve nga opozita nëse nuk krijohet qeveria teknike që me zhurmë Basha kërkon. Protesta e opozitës përfaqëson vetëm këtë entitet politik shumë të tkurrur e minoritar mes shqiptarëve.


Protesta para Kryeministrisë është një protestë identitare e shtytur nga parimi “Protestoj, dal në shesh, kërkoj qeveri teknike & zgjedhje të lira, pra unë ekzistoj. Qëllimi është trembja e qeverisë Rama me gogolin e mospjesëmarrjes në zgjedhje për ti shkëputur ndonjë çfarëdolloj lëshimi, që realistikisht mund të jetë psh. angazhimi qeveritar për sigurimin e votimit elektronik për zgjedhjet e radhës pas 18 qershorit. Qëllim tjetër mbetet joshja e LSI-së, e cila veçse nuk ka asnjë interes të bëjë aleancë me një parti humbëse seriale. Mbase nuk është aspak fare rastësi fakti që bojkoti parlamentar i opozitës bllokon punën e komisioneve parlamentare që duhet të merren me reformën në drejtësi, hyrë në etapën – vendimtare për transparencën – të vetingut (verifikimi i figurës profesionale e pasurore të anëtarëve të sistemit të drejtësisë).


E zgjeruar në kohë, një analizë më e plotë na zbulon se protesta në rrugë po tërheq shtresa të tjera shoqërore shqiptare, siç tregojnë ngjarjet për armët kimike, reformën Nikolla në arsim, këndin e lojërave në Tiranë, importin e mbetjeve, banorët e Zharrëzës dhe protestat kundër projektit Veliera në Durrës. Përbëjnë lëvizje që tregojnë se shqiptarët po ngrenë kokën nga lufta për mbijetesë ekonomike. PD do të donte tu bashkëngjitej të gjithave por PD mbahet larg prej organizatorëve të këtyre protestave. Ato janë protesta antipartiake. Në to shigjetohet qeveria Rama por nuk shpresohet aspak se një qeveri e PD-së do të zgjidhte çështje. Ato janë protesta antisistem shumë më tepër sesa kjo e PD-së, promovuar nga një parti që me keqqeverisjen në 15 vjet (1992-97, 2005-13) ka hapur veç plagë në sistem.


Dështimi i demokratëve në emër ti japin zë pakënaqësisë së shqiptarëve tregon sa e rëndësishme është për një parti të jetë në një hap me shoqërinë ku jeton. Me rrokadën Berisha-Basha në krye të partisë pas zgjedhjeve të 2013-s PD është reformuar vetëm në fasadë. Në një kohë që qeveria Rama promovonte luftën ndaj informalitetit, propozimi i demokratëve për formalizimin e ekonomisë ishte vetëm regjistrimi i detyruar i bizneseve që po ndodhte nën një qeverisje tjetër nga e tyrja) dhe vendosja e pullës fiskale në vitrinën e dyqaneve. Po mundësia për punën e zezë brenda këtyre aktiviteteve? Hetime të guximshme të televizioneve tregojnë se respektimi i dinjitetit të punëtorëve në Shqipëri është një betejë e gjitha për tu fituar një vit e gjysmë pas nisjes së luftës për kuponin. Megjithatë nuk është mëkat të dyshojmë se financierët nën një qeverisje demokrate vetëm do të abuzonin për qëllime korrupsioni me pronarët që punësojnë në të zezë përtej vitrinës së pullës.


Formalizimi i sistemit Shqipëri e tkurr bazën elektorale të Partisë Demokratike sepse po pranohet nga shqiptarët, ndërsa PD po bëhet avokatja e informalitetit dhe një parti kandidate për qeverisje që nuk ka program qeverisjeje përveç parullës trumpiane Zërin qytetarëve!. Votimet e sondazhet brenda vendit tregojnë se qytetarët po zgjedhin sistematikisht kundër përçuesve të kësaj parulle boshe.


Mjetet jokonvencionale të luftës politike si çadrat shumëjavore të ngujimit, djegia qesharake e një bunkeri, kërkesat ultimative për qeveri teknike e thirrjet ekstremiste për zvarritje kundërshtarësh në rrugë e thyerje të pasurisë publike janë efektive në shoqëri totalisht të varfra ku çdo mundësi për progres është e ndërprerë dhe protestuesit i bashkangjiten liderëve të protestës me shpresën se realiteti përreth do të ndryshojë nën një qeveri të re. Në Shqipëri mundësitë për tu ngjitur në ashensorin social nuk janë të pafundme dhe janë të gjitha jashtëzakonisht të mundimshme por shumica e shqiptarëve po preferojnë ti kërkojnë vetë e jo tia delegojnë këtë mundësi partive.


Shumica e shqiptarëve mosbesojnë tek politika në përgjithësi, jo vetëm ajo e PD-së. Parti të reja si LIBRA e Blushit e Sfida e Bojaxiut mundohen ta kalërojnë këtë mosbesim, në konkurrencë me PD-në. Politika e PD-së, veçse, është pikërisht ajo tek e cila shqiptarët mosbesojnë më fort sepse su lë kohë të vrapojnë për ashensorin social. Shqiptarët nuk i besojnë ekstremistëve: kanë mësuar mbi lëkurën e tyre se është një besim pa dividendë. PD ka vetëm dy  mundësi për të qenë realitet i besueshëm qeverisjeje: vetëreformimin (garë e vërtetë elektorale e brendshme që vë në diskutim vendimmarrjen nga mendja e mbyllur e ish-kryeministrit Berisha) si parakusht për hartimin e një programi të detajuar qeverisës që shpon parullat ose një krizë ekonomike që rrëzon totalisht çdo besim të shqiptarëve tek Rilindja e i kthen tek PD-ja. Në gjendjen që PD është sot, e pareformuar dhe jashtë kohës, mund të shpresojë pas katër vjetësh vetëm tek opsioni i dytë, gjithmonë nëse pranon se pjesëmarrja në zgjedhje mbetet mënyrë për tu testuar para qytetarëve. Nëse kërkon të legjitimohet më shpejt para qytetarëve duhet të zgjedhë opsionin e parë.