Nuk janë vetëm tetë të pakënaqur në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) që votuan kundër Isa Mustafës për kryeministër. Prapa secilit deputet që ngriti dorën kundër Mustafës kryeministër me Partinë Demokratike të Koosvës (PDK) në koalicion, atyre që abstenuan apo edhe atyre që e bojkotuan krejtësisht seancën, janë mijëra vota nga zgjedhjet e 8 qershorit, raporton KTV.
Përmes 8 deputetëve që votuan kundër Isa Mustafës del që kundër kanë qenë mbi 121 mijë e 807 votues. E më pak se gjysmën e këtyre votave, që votuan kundër koalicionit PDK- LDK, ia kanë sjellë LDK-së ata individë që morën pozita ministrore.
Skënder Hyseni, që nuk e fitoi garën për deputet, duke fituar vetëm 5,854 vota, u bë ministër i Punëve të Brendshme. Edhe më pak vota për LDK-në solli, Arban Abrashi, që me vetëm 2,792 vota u bë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Lutfi Zharku, që nuk u bë deputet, arriti të rikthehet në postin e ministrit të Infrastrukturës me 7,149 vota. Por, befasia e këtij kabineti, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, si asamblist në Gjilan, kishte marrë hiq më shumë se 640 vota, transmeton Koha.net
Me 14,824 vota, Haki Demolli, u bë ministër i FSK-së, me 14,653 vota Kujtim Shala u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Kulturës, Hykmete Bajrami, që mori 10,196 vota në zgjedhje u bë ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Të gjithë të lartpërmendurit përfaqësojnë 55,468 votues, aq sa kanë vetëm Vjosa Osmani dhe Anton Quni, që votuan kundër.
Osmani, që nuk u bind të votojë në asnjë mënyrë LDK-në me PDK-në në koalicion, nga zgjedhjet e jashtëzakonshme doli femra më e votuar në Kosovë, duke marrë 39,911. Anton Quni, që e bojkotoi seancën kur u zgjodh lideri i tij kryeministër, LDK-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme i ka sjellë 24,317.
Armend Zemaj në LDK ka arritur t'i sjellë 11,160 vota. Arben Gashi 14, 891, Fatmir Rexhepi nga zgjedhjet doli me 8,532 vota, Adem Salihaj 8,318, Doruntina Maloku me 7,193 vota, ndërsa Alma Lama, që abstenoi zgjedhjen e Mustafës kryeministër, kishte marrë 7,485 vota.