Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, po qëndron për vizitë në Sarajevë, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën për Punësim dhe Platformën e Çështjeve Sociale.

Konferenca është organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe është përkrahur nga Drejtoria e Përgjithshme për Punësim dhe Çështje Sociale e Komisionit Evropian.

Ministri Abrashi ishte pjesë e panelit të diskutimeve për nxitjen e punësimit të të rinjve.

Gjatë prezantimit të tij, ministri Abrashi theksoi sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet Kosova, duke prezantuar hapat të cilat janë marrë nga MPMS për nxitjen e punësimit të të rinjve.

Në këtë kontekst, ai theksoi përkrahjen në subvencionimin e pagave, granteve për vetëpunësim, programin e trajnimit në punë si dhe punësimin jashtë Kosovës përmes procesit të migrimit legal.