Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili është edhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, është gjuajtur sot me vezë teksa po dilte nga objekti i Qeverisë së Kosovës ku morri pjesë në mbledhjen e sotme të ekzekutivit.

Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar se aktivistët e saj, sot rreth orës 10:30, hodhën vezë mbi ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe zëdhënësin e qeverisë, Arban Abrashi, pasi ai, sikurse i tërë kabineti qeveritar është përgjegjës për situatën nëpër të cilën po kalon Kosova.

"Qeveria, zëdhënës i së cilës është Abrashi, e ka shkelur Kushtetutën, vetëm e vetëm që t'i realizojë projektet e Serbisë në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk ka as legalitet as legjitimitet të udhëheq me vendin", thuhet në një deklaratë të Lëvizjes Vetëvendosje!

"Institucionet nuk do të funksionojnë normalisht, deri në realizimin e kërkesave të qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, as eksponentët e këtij pushteti kriminal, nuk do t'i lëmë rehat, derisa të anulohen marrëveshjet dhe derisa të shpallen zgjedhjet e reja", thuhet në deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje!

Kjo është hera e dytë që ministri Abrashi sulmohet me vezë nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! Herën e parë ai ishte sulmuar gjatë tetorit të vitit të kaluar.