Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati prezantoi këtë të martë në Komisionin e Ligjeve projekt-ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.


Sipas këtij projekt-ligji, zyrtarisht pakicat kombëtare në Shqipëri janë pakicat greke, maqedonase, vllahe/arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake e serbe.


Listimi i pakicave nuk diskutohet që ka pasur parasysh ndërthurjen e  elementit subjektiv, pra vetëdeklarimin dhe elementin objektiv, që janë karakteristikat evidentuese të pakicave dhe vlerësimi i institucioneve që posedojnë të dhënat dokumentare mbi individët sipas pakicave dhe këtu roli i Ministrisë së Brendshme është thelbësor, deklaroi ministri Bushati.


Ky projekt-ligj vjen pas kërkesave të hershme të Këshillit të Europës që në vitin 2007 dhe si i tillë është në përputhje totale me parimet e europiane, ku vetë këto institucione kanë qenë pjesë e hartimit të tij. Por konsultime të vazhdueshme janë bërë dhe me organizatat që mbrojnë të drejtat e minoritetit.


Natyrisht, jo të gjitha çfarë kanë sugjeruar shoqatat janë marrë parasysh në këtë ligj. Unë mund tju vë në dispozicion kërkesat e tyre dhe argumentin tonë. Në një pjesë të mirë të rasteve, shoqata të ndryshme janë në kundërshti me njëra-tjetrën. Dikush kërkon të ketë një pozicion më të privilegjuar dhe të njohur si të tillë, ndërkohë që kjo bie në kundërshtim jo vetëm me angazhimet ndërkombëtare që ka Shqipëria, por në radhë të parë me kuadrin kushtetues tonin, u shpreh ministri i Jashtëm.


Ky projekt-ligj, i cili u votua në mënyrë unanime në këtë komision parashikon rritjen e të drejtave të pakicave në Shqipëri, përfshi deri aty sa në bashkitë ku 20 përqind e popullsisë u parkët pakicave të krijohen kushte për aq sa është e mundur, për përdorimin e gjuhës së pakicës në marrëdhëniet ndërmjet personave që u përkasin pakicave dhe këtyre organeve, përfshi dhe tabelat në dy gjuhë.


26 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)