Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni do të udhëtojë sot në Hagë, ku do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.



Ministri Hyseni pritet të zhvillojë takime me ekspertët ligjorë të Republikës së Kosovës në këtë proces. Këto takime do të vazhdojnë edhe të hënën, me qëllim të harmonizimit përfundimtar dhe finalizimit të deklaratave, të cilat do të prezantohen para gjykatës.



Ndërkohë, po të hënën, ministri Hyseni do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Mbretërisë së Holandës.



Radha e paraqitjes së Kosovës para GJND-së në Hagë është të martën në orën 15.00 dhe do të zgjasë 3 orë. Fjalën hyrëse në këtë paraqitje do ta ketë përfaqësuesi i Republikës së Kosovës, ministri Hyseni.



Fjala e ministrit Hyseni do të pasohet nga paraqitjet e ekspertëve dhe këshilltarëve ndërkombëtarë, Sir Michael Wood, Daniel Müller dhe Sean Murphy.