Foto:Berat Murina


Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka gjetur jo pak punë në Ministrinë që ka ardhur. Madje ai kërkoi që t’i jepet pak kohë për tu ambientuar, pastaj për të gjetur se çfarë duhet ndryshuar në MZHE.


Në ditën e dytë që erdhi në krye të MZHE-së, Fadil Ismajli ka zgjedhur të dalë në një konferencë për shtyp për të njoftuar opinionin e gjerë lidhur me prioritetet dhe planet e tij për të drejtuar këtë dikaster.


“Jam duke kërkuar për të gjetur se çka duhet ndryshuar, është vetëm dita e dytë në Ministri, është bërë një pranim dorëzim, është një orman shumë i madh me dokumente që i kam pranuar prej ministrit, më jepni pak kohë”, ka thënë Ismajli.


Ismajli i vuri theks të veçantë privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi publike në Kosovë.


Duke folur për procesin e privatizimit të distribucionit dhe furnizimit ai ka premtuar se do të angazhohet maksimalisht që kjo ndërmarrje të ketë sukses dhe të jetë një storie sukesi në rajon.


Ndërkaq, procesin e privatizimit të Postës e ka quajtur proces transparent dhe të bazuar në ligje dhe rregulla të prokurimit.


Sipas Ismajlit, këto kompani edhe pas privatizimit duhet të vazhdojnë të monitorohen.


“Edhe PTK, edhe distribucioni e furnizimi do të vazhdojnë që të monitorohen nga njësi të posaçme në kuadër të Ministrisë tonë, në mënyrë që kërkesat në procesin e tenderimit të plotësohet në tërësi dhe konsumatorët të jenë të kënaqur në këtë aspekt”, ka deklaruar Ismajli.


Prioritet tjetër i MZHE, gjatë drejtimit të tij do të jetë termocentrali "Kosova e Re". Sipas Ismajlit, Projekti “Kosova e Re” është një projekt i tejzgjatur i cili ka nisur shumë herët. Sakaq, ai tha se në janar të 2015 do të filloj ndërtimi i termocentraleve të reja.


“Konsideroj që gjithçka duhet të ndodh në kohë dhe hapsirë, diçka që ndodh me vonesë mund të mos i ketë efektet e veta prandaj do të angazhohem maksimalisht që ashtu siç është projektuar në baza të tanishme, në janar 2015 fituesi apo ndërtuesi i Kosovës së Re do të filloj ndërtimin e termocentraleve të reja me bazë linjiti”, ka thënë Ismajli.


Pos tjerash, Ismajli është zotuar se do të punojë që "Kosova A" të mos mbyllet derisa nuk hyn në funksion sëpaku një gjenerator i ri i “Kosovës së Re”.


“Kosova A, pavarësisht vjetërsisë në vitet e pasluftës ka luajtur një rol të rëndësishëm në furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike. Dalja parakohe do të shkaktonte shtrenjtim të menjëhershëm të energjisë elektrike”, ka thënë Ismajli derisa ka premtuar se do të angazhohet në kalim gradual jo të menjëhershëm të këtij termocentrali./Indeksonline/