TIRANE - Një bashkëpunim i shkëlqyer i policisë shqiptare me atë britanike dhe një ngërç me gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar. Kjo ka qenë pak a shumë përmbledhja e bisedës mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi dhe ministrit të shtetit britanik, për Policinë, Krimin dhe Sigurinë, Vernon Coaker. Tema kryesore e takimit të zhvilluar mes Prençit dhe Coaker ka qenë ekstradimi i shqiptarëve të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe që strehohen në Britaninë e Madhe. Duke iu referuar një deklarate të disa ditëve më parë të vetë Prençit, por edhe një shkrimi të një të përditshmeje angleze, për 100 kriminelë shqiptarë që strehohen atje, drejtori Prençi i ka kujtuar Coaker se, “me policinë kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer, por në disa raste nga ana e gjykatave është refuzuar ekstradimi i shqiptarëve të kërkuar drejt vendit tonë”. Ndërkohë që ministri i Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se jo të gjithë shqiptarët që jetojnë në Britani janë kriminelë. “Nga ana jonë ne jemi të gatshëm për arrestimin e personave të kërkuar nga ana juaj dhe mirëpresim çdo lloj informacioni që mund të keni për shtetasit e kërkuar. Unë ju premtoj se do të bëj të pamundurën për t’i ekstraduar të kërkuarit për në vendin tuaj”, ka pohuar Coaker. Më pas ai ka zhvilluar edhe një takim me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, në ambientet e hotel “Tirana Internacional”, ku është diskutuar rreth programit të misionit të asistencës policore PAMECA 3. Gjatë takimit ministri Nishani nuk ka lënë pa përmendur suksesin e policisë shqiptare gjatë tre viteve të fundit, shkatërrimin e 300 grupeve të krimit të organizuar, me rreth 1000 autorë që kanë dalë para drejtësisë. Gjithashtu në sajë të bashkëpunimit me Europol dhe Interpol, gjatë këtyre 3 viteve është bërë i mundur ekstradimi i rreth 250 shqiptarëve nga vendet perëndimore. Ndërkohë ministri i Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar gjatë fjalës së tij, nuk ka nguruar t’u japë një këshillë policëve shqiptarë, duke qenë se Shqipëria është në prag të zgjedhjeve. “Shumë e rëndësishme në punën e policisë është ndarja e saj nga politika. Gjithmonë policia duhet të jetë e pavarur dhe të bëjë punën e saj”, deklaroi Vernon Coaker. e.d
Inaugurohet laboratori i ADN-së
Përveç takimeve që ministri i Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar ka zhvilluar në Tiranë, ai ka marrë pjesë edhe në inaugurimin e laboratorit të ADN-së, në Ministrinë e Brendshme. Burime nga dikasteri blu bënë të ditur se tashmë çdo analizë e nevojshme ADN-je, që nevojitet për provë të rëndësishme të krimeve, nuk do të jetë e nevojshme të dërgohet jashtë shtetit, por do të kryhet në Tiranë.