Qeveria e Kosovës ka filluar konsultimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë takimit që ka pasur sot delegacionin e misionit të FMN-së, me rastin e fillimit të vizitës së tyre në Kosovë, i informoi ata mbi planin zhvillimor të Qeverisë, për reformat ekonomike e fiskale të cilat dalin nga ky plan, si dhe për kornizën afatmesme të shpenzimeve.
Po ashtu, ministri Hoti, informoi përfaqësuesit e delegacionit të misionit të FMN-së edhe mbi vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e ligjeve të cilat kanë të bëjnë me tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin në të ardhurat personale dhe tatimin në të ardhurat e korporatave.
Ai po ashtu u konfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim sa më të ngushtë me FMN-në.
Ndërsa shefi i misionit të FMN-së për Kosovën, Jacques Miniane dhe ekipi i tij shprehën përkushtimin e këtij institucioni për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe FMN-së.
Ekipi i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 30 mars, ku përveç Ministrisë së Financave do të kenë takime edhe me përfaqësuesit e institucioneve tjera në Kosovë.