Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Isni Kilaj, ka adresuar kritika pa kursim ndaj shefit të tij, ministrit Avdullah Hoti, siç shprehet ai, për mosrespektim të dispozitave ligjore. Ai i tha Koha.net se nuk mund të gëlltisë këto shkelje të ministrit Hoti, pavarësisht nga pozita, si zëvendës i tij.

Zëvendësministri Kilaj në një shkrim të tij drejtuar portalit tonë, të cilin po e publikojmë të plotë, shkruan:

Ministri i Financave Avdullah Hoti nuk ka zbatuar asnjë vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës për kthimin në punë në pozitat paraprake për disa zyrtarë të ATK-së, të larguar padrejtësisht nga ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të ATK-së, Nait Sharku, si të Bekim Gashi, Blerim Hamiti, Halide Pireva, Diamanta Skenderi , Shaqir Totaj, Valdet Bektashi, etj.

Vendimet e këtij këshilli janë obligative për të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës, por jo edhe për ministrin Hoti!

Por më e rënda është se as vendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk janë obligative për ministrin Hoti. Gjykata Themelore në Prishtinë me vendimet e datës 04.05.2016 /Nr.07-06-1279,78.../ka kthyer në punë në pozitat paraprake ish zyrtarët në Departamentin e tatimpaguesve të mëdhenj: Bekim Gashi, Blerim Hamiti, Halide Pireva e Diamanta Skenderi, por vendimet nuk janë implementuar.

Ky veprim i ministrit Hoti ka krijuar pasiguri dhe pakënaqësi te zyrtarët në Ministrinë e Financave, por edhe një pasiguri qeverisjeje të partnerëve të koalicionit, pasi që kjo po bëhet në baza partiake, përfundon shkrimi.