Ministria e Kulturës ka ndarë sot, çmimet e mëdha të Letërsisë, për vitin 2016. Vepra më e mirë e vitit e Letërsisë Shqipe dhe Vepra më e mirë e vitit e përkthyer, kanë qenë dy çmimet e ndara sot. Vepra më e mirë e vitit të Letërsisë Shqipe për vitin 2016, iu dha shkrimtarit Idlir Azizaj për veprën Shekspirotët të shkruar në një zhanër që ndërthur imagjinatën groteske me peizazhin dramaturgjik. Rezultati është një tekst ku thuren me nerv dhe humor të zi në unitet mjedisi i trazuar shqiptar i shekullit XXI me një stil moderniteti.



Në ceremoninë e çmimeve kombëtare të Letërsisë për vitin 2016, po sot, përkthyesja Diana Kastrati u nderua me çmimin Vepra më e mirë e vitit e përkthyer, me Kanali Musolini i autorit Antonio Pennacchi. Pesë shkrimtarë mes tyre dhe emra të rinj kanë qenë kandidatë për çmimet e mëdha të letërsisë që çdo fundviti akordohet nga Ministria e Kulturës. Juria e përbërë nga Primo Shllaku, në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe anëtarët: Flutura Açka, Elsa Demo, Bajram Karabolli dhe Lisandri Kola. Më herë kjo juri bëri të ditur emrat e kandidatëve të nominuar për çmimin Vepra më e mirë e vitit të Letërsisë Shqipe dhe Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer për vitin 2016.


Titujt për të dyja kategoritë të renditura në rend alfabetik Kandidatët për çmimin Vepra më e mirë e vitit të Letërsisë Shqipe 1. Ardian Kyçyku – INCOGNITO (roman), Shtëpia Botuese NAIMI 2. Erion Papagjoni – NJE BURRE MES DY GRAVE (dramë), Shtëpia Botuese ADA 3. Idlir Azizaj – SHEKSPIROTET (novela dramaturgjike), Shtëpia Botuese TOENA 4. Meritan Spahija – VEGIMET E FUNDIT (tregime), Shtëpia Botuese FIORENTIA 5. Romeo Çollaku – MJALT NË TEH (roman), Shtëpia Botuese ZENIT


Kandidatët për çmimin Vepra më e mirë e vitit e përkthyer 1. Agron Tufa – TRISTIA (poezi), Osip Mandelstam – Shtëpia Botuese PIKA PA SIPËRFAQE 2. Diana Kastrati – KANALI MUSOLINI (roman), Antonio Pennacchi – Shtëpia Botuese DITURIA 3. Ermira Danaj – NJË FRYMËMARRJE JETE, PASIONI SIPAS G. H. (roman), Clarice Lispector, Shtëpia Botuese OMBRA GMG. 4. Luljeta Lleshanaku – Bija e varrmihësit (roman), Joyce Carol Oates, Shtëpia Botuese ALBAS 5. Romeo Çollaku – POEZI TË ZGJEDHURA,Konstandinos Kavafis, Shtëpia Botuese ZENIT


6 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)