26/04/2010 Bashkëpunimi


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, është pritur në takime të veçanta nga krerët më të lartë të Republikës së Kosovës. Gjatë takimit me Presidentin Fatmir Sejdiu, ministrja Bregu ka garantuar mbështetjen e Qeverisë së Tiranës për të ndarë eksperiencën e proceseve të integrimit evropian me Qeverinë kosovare, duke e asistuar atë hap pas hapi në procesin e integrimit. Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu prezantoi iniciativën e re të Qeverisë së Kosovës për krijimin e Ministrisë së Integrimit Evropian, duke ndjekur shembullin e Shqipërisë. Pas këtij takimi, ministrja Bregu është takuar me Kryeministrin Hashim Thaçi, me të cilin bisedoi mbi fillimin e punimeve të rrugës Morinë-Merdarë, si vazhdimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Bregu vlerësoi se kjo rrugë do t’i shërbejë intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh, afrimit të Kosovës me Shqipërinë, vende të cilat kanë qenë dhe do të jenë modeli i fqinjësisë së mirë në rajon. Nga ana e tij, Kryeministri Thaçi theksoi se Kosova është në pritje të udhërrëfyesit dhe duke bërë përpjekjet maksimale për krijimin e regjistrit civil dhe prodhimin e pasaportave biometrike.