Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka depozituar në KLD 2 kërkesa, përmes të cilave kërkon shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Petraq Curri të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës si dhe fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares Enkeleida Hoxha të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.


Gjatë hetimit disiplinor ka rezultuar se gjyqtari Petraq Curri ka kryer shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit në dhënien e vendimit për mosmiratimin e arrestit të shtetasit Alket Hatija dhe lirimin e tij.


Gjithashtu nga informacioni i administruar nga Ministria e Drejtësisë rezultoi se Gjyqtarja Enkeleida Hoxha ka vendosur lirimin me kusht të të dënuarit Genc Tafili në kundërshtim me dispozitën ndaluese të ligjit.


Pesë ish-zyrtarë padisin në gjykatë ministren e Drejtësisë


Pesë ish-zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë, kanë çuar në gjykatë padinë ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonajt me arsyen se nuk janë dakord me pushimin nga puna.


Ata kërkojnë që të shfuqizohet urdhri i ministres për shkarkimin e tyre.


Punonjësit që kanë paditur ministren e Drejtësisë, janë: Gerhad Xhafa, Valbona Kryemadhi, Petrit Bakiu, Arlind Arapi dhe Bledar Kabashi.


Këta kanë dërguar në Gjykatën Administrative ministren dhe kërkojnë kthimin në punë.


12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)