Autori i Lajmit: Redaksia




Tiranë - Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, bëri të ditur gjatë një konference shtypi listën e “gjatë” prej 26 lojtarësh të thirrur për dy ndeshjet miqësore ndërkombëtare të radhës, ato me Malin e Zi në Podgoricë, më 25 maj dhe me Andorrën, më 2 qershor. Trajneri iu përgjigj një numri të madh pyetjesh të gazetarëve. Lista e propozuar nga trajneri i dytë kroat në stolin e Shqipërisë (i pari ka qenë Oto Bariç) nuk ka shumë ndryshime nga ajo që Kombëtarja ka pasur në eliminatoret e Kampionatit Botëror apo në miqësoren e fundit kundër Irlandës së Veriut. Gjithsesi, janë tre fytyra të reja në vijën e sulmit: Bekim Bala (Vllaznia), Ahmed Jonuzi (Vorskla Poltava, Ukrainë) dhe Parid Xhihani (Zorja Lugansk, Ukrainë). Dy prurje të reja janë dhe mbrojtësi i Tiranës, Ditmar Bicaj, e mesfushori i Laçit, Emiljano Veliaj. Edhe pse ishte parashikuar që Arjan Beqaj do të ishte në listë, portieri kosovar i Anorthosis Famagusta për shkak të disa problemeve shëndetësore (gur në veshka) bëri të ditur se nuk ishte i gatshëm për këto dy miqësore. Shqipëria ka zhvilluar këtë vit një miqësore të fituar ndaj Irlandës së Veriut, 1-0, me golin e Ervin Skelës, një ekzekutim perfekt nga goditja e lirë. Shqipëria në ranglistën botërore të FIFA-s për muajin prill, pozicionohet në vendin e 80-të, ndërsa në Evropë, Kombëtarja jonë është e 39-ta (lë pas 14 vende). Nga ana tjetër Mali i Zi renditet i 65-ti në FIFA, ndërsa Andorra e 201-ta. Takimi i parë zyrtar i kuqezinjve në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012-s është me Rumaninë në Bukuresht, më 4 shtator të këtij viti. Kjo është miqësorja e dytë me Malin e Zi, madje malazezët janë kundërshtarët e parë të Shqipërisë në historinë ndërkombëtare të futbollit, pavarësisht se si pjesë e ish-Jugosllavisë, ata nuk mund të konsideroheshin një shtet. Ndeshja e zhvilluar në Shkodër përfundoi 5-0 për Shqipërinë (22 shtator 1946: golat nga Juka 2, Teliti 2 dhe Bizhuta), pak javë përpara se ajo të fitonte Kampionatin Ballkanik në “Qemal Stafa” nën drejtimin e trajnerit serb Ljubisha Broçiç, trofeu i parë, pas atij të fituar nga Medin Zhega në vitin 2000 në “Rothmans Cup” në Maltë. Andorra modeste është një histori e hidhur për Shqipërinë e veçanërisht për trajnerin e fundit shqiptar të Kombëtares, Sulejman Demollari, i shkarkuar pas humbjes 2-0 në vitin 2002. Andorra është një skuadër thuajse amatore dhe ka fituar vetëm 3 takime në historinë e saj, një prej tyre ndaj Shqipërisë.

Për trajnerin kroat të përfaqësueses këto do të jenë miqësorja e pestë dhe e gjashtë, ku deri tani në katër të parat ka koleksionuar 2 fitore (Qipro, Irlanda e Veriut) dhe 2 barazime (Gjeorgji, Estoni), duke mos e njohur shijen e hidhur të humbjes.



Mungesa e Beqajt



Trajneri Kuzhe kishte parashikuar Arjan Beqaj si portierin e parë në miqësoret kundër Malit të Zi dhe Andorrës, përkrah Isli Hidit (nuk luan prej shumë ndeshjes te Krivbasi në Ukrainë) dhe Samir Ujkanit (titullar te Novara e ngjitur në Serinë B në Itali). Por veterani i Anorthosis Famagusta nuk mundi ti bashkohej grupit të 26 lojtarëve të thirrur nga trajneri i Kombëtares. Kuzhe shpjegoi: “Arjani më lajmëroi dje në mbrëmje se nuk mund të vinte dot, pasi kishte probleme me veshkat. Kishte gurë dhe duhej ti bombardonte ato në spital. Emrin e portierit të tretë për këto dy takime do ta bëjmë të njohur ditën e hënë”.





Thirrja e Januzit dhe Xhihanit



Dy sulmuesit që luajnë në Ukrainë, Parid Xhihani (Zorja Lugansk) dhe Ahmed Januzi (Vorskla Poltava) janë thirrur për miqësoret kundër Malit të Zi dhe Andorrës. Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, shpjegoi: “Jam në kërkim për të gjetur lojtarë të rinj për kualifikueset e Kampionatit Evropian (2012). Qëllimi im në këto dy miqësore është më shumë stërvitja në grup e lojtarëve. Kam marrë informacione se, si Januzi ashtu dhe Xhihani, po luajnë mirë me ekipet e tyre në Ukrainë. Thirrja e tyre është një mundësi për ti parë nga afër”. Ahmed Januzi, së fundi ka qenë një lojtar i rregullt i Kombëtares U-21 të drejtuar nga Artan Bushati, ndërkohë që ish-sulmuesi i Besës, Xhihani, dikur edhe ky te U-21, ftohet për herë të parë në ekipin Kombëtar A.



Lojtarët me pak minuta



Shumica e futbollistëve të Kombëtares, të cilët luajnë jashtë Shqipërisë, kanë kaluar një sezon të vështirë, pasi janë aktivizuar shumë pak me skuadrat e tyre. Por, sa e alarmon kjo situatë trajnerin Kuzhe? “E di që shumë lojtarë nuk luajnë. Pa asnjë mëdyshje kjo nuk është një gjë që më pëlqen, por nga ana tjetër janë disa lojtarë si Lorik Cana, Debatik Curri, Armend Dallku e ndonjë tjetër luajnë rregullisht. "Në fakt, ky është një problem që e kanë shumë ekipe përfaqësuese. Gjithsesi, opinionin tim për lojtarët do ta krijoj gjatë seancave stërvitore. Dua të krijoj një atmosferë të mirë përpara ndeshjeve”. Portieri Isli Hidi si dhe dy mesfushorët Ansi Agolli dhe Ervin Bulku nuk luajnë prej një kohë të gjatë te skuadra e tyre, Krivbas në Ukrainë. A do të përbëjë një problem forma e tyre?

“Jo nuk mendoj se do të jetë një problem për këto dy ndeshje. Janë thjesht një test”, tha Kuzhe.



“Mali i Zi si Rumania”



Dy ndeshjet miqësore ndërkombëtare të radhës, ato me Malin e Zi në Podgoricë, më 25 maj dhe me Andorrën, më 2 qershor në shtëpi, kanë një kuptim të veçantë për trajnerin e Shqipërisë, Josip Kuzhe, sidomos parë nën këndvështrimin e fushatës kualifikuese të Euro 2012, ku përfaqësuesja jonë ndodhet në një grup me Francën (finalistja aktuale e Kampionatit Botëror 2010), Rumaninë, Bosnjën, Bjellorusinë e Luksemburgun. Trajneri Kuzhe: “Jam i kënaqur me zhvillimin e miqësoreve me këtë dy kundërshtarë. Mali i Zi është i ngjashëm me Rumaninë dhe po kështu Andorra ka formatin e Luksemburgut. Do të përfitojmë shumë, pavarësisht se me çfarë gjendje do të vijnë lojtarët”.



Lista e lojtarëve të kombëtares shqiptare për miqësoret ndaj Malit të Zi dhe Andorrës







Portiere:

Isli Hidi Kryvbas (Ukrainë)

Samir Ujkani Novara (Itali)

Portieri i tretë (përcaktohet të hënën)







Mbrojtës:

Andi Lila Tirana (Shqipëri)

Armend Dallku Vorskla Poltava (Ukrainë)

Kristi Vangjeli Aris Selaniku (Greqi)

Ansi Agolli Kryvbas (Ukrainë)

Lorik Cana Sunderland (Angli)

Ditmar Bicaj Tirana (Shqipëri)

Endrit Vrapi Besa (Shqipëri)

Debatik Curri Vorskla Poltava (Ukrainë)







Mesfushorë:

Ervin Bulku Kryvbas (Ukrainë)

Klodian Duro Apollon Limasol (Qipro)

Ervin Skela Tus Koblenz (Gjermani)

Jahmir Hyka Mainz 05 (Gjermani)

Gilman Lika Boluspor (Turqi)

Emilian Vila Dinamo (Shqipëri)

Emiljano Veliaj Laçi (Shqipëri)

Gjergj Muzaka Tirana (Shqipëri)







Sulmues:

Erjon Bogdani Kievo (Itali)

Hamdi Salihi Rapid i Vienës (Austri)

Edmond Kapllani Tus Koblenz (Gjermani)

Elis Bakaj Dinamo (Shqipëri)

Bekim Bala Vllaznia (Shqipëri)

Ahmed Jonuzi Vorskla Poltava (Ukrainë)

Parid Xhihani Zorja Lugansk (Ukrainë)



Ky lajm është publikuar: 16/05/2010