Filmi me metrazh të shkurtër, financuar nga Qendra Kinematografike Shqiptare, “Mira”, është nderuar me “Honorable Mention” në festivalin e filmit “Commffest Community Film Festival” në Toronto. Lajmin e bëri, dje, të ditur shtëpia filmike “Dyrrachium Production USA & Maku Productions”. Dedikimi për këtë vlerësim i shkon aktorëve dhe ekipit të filmit, të cilët depërtuan në disa nga problemet sociale që ekzistojnë sot në Shqipëri. Regjisori i filmit është Dhimitër Ismailaj, i cili ka shkruar dhe skenarin e këtij produksioni. Në rolet kryesore luajnë Rozana Radi, Neritan Liçaj, Tinka Kurti, Ilirjan Gjoni, Esmeralda Metka, Kliti Roshi, Alert Celoaliaj, Denis Bushjokaj.
“Mira”, deri tani, është prezantuar në disa Festivale nëpër botë. Prezantimi i fundit ka qenë më 10 tetor 2009, në “Global Cinema Film Festival”, Madhya Pradesh, Indi. “Mira” është një melo-dramë rreth një vajze të re të martuar, e cila pas një aksidenti të burrit të saj, duhet të gjejë medoemos dhjetë mijë dollarë për operacionin e tij. Mira përfaqëson atë pjesë të shoqërisë që po lufton për të mbajtur vlerat e familjes e vjetër, ndërsa është e rrethuar me rënien e moralit të shoqërisë. Veprimet e saj janë veprat pa ndjenja, si hakmarrje kundër patriarkalëve që ende drejtojnë dhe qeverisin jetën e njerëzve, ndërsa ata përpiqen të shesin mbrapshtinë e tyre.
\"Mira\" është një grua e re në një dilemë morale për veten dhe mënyrën e sjelljes së shoqërisë, ndërsa konfrontuar me vetë dëshirat e saj të fshehura. Ndërkohë që dëshirat e saj seksuale fillojnë të zgjohen, duke dalë ngadalë në sipërfaqe, dhe duke shtuar më tepër çoroditjen e saj, ndërkohë që ajo detyrohet t’i hyj një rruge të rrezikshme. Ky është filmi i pestë i Dhimitrit, ndërkohë ai sapo ka mbaruar xhirimet e filmit të tij te gjashtë në Kosovë (në muajin shtator), i njohur me titullin e punës “Mrs UN”, dhe që pritet të fillojë montazhin shumë shpejt në SHBA, aty ku ai jeton.