Të gjithë studentët e interesuar për të ndjekur studimet në ciklin e dytë të studimeve, diplomë e nivelit të dytë ose master i nivelit të parë tashmë i kanë të detajuara kuotat dhe pagesat për secilën degë. Dje, Këshilli i Ministrave ka marrë një sërë vendimesh lidhur me kuotat dhe programet e reja në katër universitete të vendit. Në mbledhje u miratuan kuotat dhe tarifat për programet e studimit të ciklit të dytë, diplomë e nivelit të dytë dhe master i nivelit të parë.



Sipas Ministrisë së Arsimit, krahasuar me një vit më parë ka një rritje me afro 2500 kuota për këto programe studimi.



MASH saktëson se 10 për qind e kuotës së çdo programi studimi të ciklit të dytë është parashikuar për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë vendit.



Bursat



Këshilli i Ministrave gjithashtu ka miratuar vendimin për bursat dhe pagesat e nxënësve e studentëve në institucionet arsimore publike për vitin shkollor 2009-2010.



Sipas këtij vendimi, për herë të parë do t‘u akordohet bursë e plotë të gjithë nxënësve të zonave të largëta (verilindore dhe juglindore) të vendit, të cilët janë regjistruar dhe do të ndjekin studimet këtë vit shkollor në shkollat profesionale.



Gjithashtu do t‘u jepen bursa të gjithë nxënësve që janë regjistruar këtë vit në shkollat profesionale në degët prioritare të ekonomisë, konkretisht ndërtim, bujqësi dhe pyje.



Kuota e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e ciklit të dytë të studimeve, me kohë të plotë, për vitin akademik 2009-2010 do të jetë 6910.



Tarifat e shkollimit



Kandidatët që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2009-2010 dhe që u përkasin shtresave sociale, si të verbër/të shurdhër, invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijë të policëve të rënë ose të plagosur, për shkak të detyrës dhe të ish-të përndjekurve politikë. Këta, sipas vendimit të qeverisë, paguajnë një kuotë në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit. Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdojnë rregullisht studimet.



Studentët që transferojnë studimet nga një program studimi, apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të dytë në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.