Tiranë - Buxheti i Bashkisë së Tiranës është miratuar në parim ditën e enjte. Miratimi i këtij buxheti vjen nga tërheqja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka lejuar kalimin e tij. Vëndimi për miratimin në parim të këtij buxheti është firmosur nga nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Petraq Simo, me autorizimin e kryetarit Sokol Dervishaj.
Sipas Gazetës Shqiptare, ky dokument në prefekturën e Tiranës ka shkuar ditën e premte.
“Ditën e premte, pranë prefektit Qarku Tiranë, ka ardhur sipas procedurës ligjore vendimi i Këshillit Bashkiak për miratimin në parim të buxhetit. Ai ka ardhur me firmën e nënkryetarit të autorizuar me shkrim me firmën nënshkruar nga kryetari. Rrjedhimisht, unë nënkuptoj firmën e kryetarit të këshillit në këtë vendim, dhe nga pikpamja proceduriale vendimi është pranuar në prefekturë”, deklaron Keçi për Gazetën Shqiptare.
Votimi për buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 u votua dy herë në Këshillin Bashkiak, por pa arritur të kalonte. Në votimin e parë kryetari i bashkisë, Edi Rama, numëroi 29 vota, të nevojshme këto për kalimin e tij, por, votimi u konsiderua i pavlefshëm nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj. Shkaku ishte se votat nuk u numuruan nga sekretari i këshillit, dhe se procesi nuk përfundoi pasi nuk u dhanë votat kundër.