Vetëm një ditë pas prezantimit të raportit për kandidatët që do të garojnë për tu bërë pjesë e trupës së KLP-së dhe KLGJ-së, Komisioni i Ligjeve është mbledhur sërish.


Anëtarët në Komisionin e Ligjeve kanë miratuar projekt vendimin për krijimin e nënkomisionit Ad-hoc që do të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të trupës së KLGJ dhe KLP.


Në radhët e mazhorancës në këtë nënkomision do të kemi Ulsi Manjan, në postin e kryetarit dhe deputetet Klotilda Ferhati dhe Vasilika Hysi si anëtare.


Opozita do të përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi i PD-së, i cili do të jetë nënkryetar dhe Nasip Naço i LSI-së.


Mbledhja e sotme, ku diskutohej për ngritjen e këtyre dy institucioneve të reja në kuadër të reformës në drejtësi është shoqëruar me debate mes palëve.


Partia Demokratike nëpërmjet deputetëve Halimi dhe Alibeaj konstatoi se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të KLGj e KLP është shoqëruar me shumë problematika.


Halimi hodhi poshtë mundësinë e braktisjes së komisionit nga opozita, pasi sipas tij pjesëmarrja e tyre e pengon mazhorancën në tentativën e saj për të kapur sistemin.


Bojkoti i këtyre proceseve do i japë mazhorancës mundësinë për kapjen e drejtësisë. Me qëndrimin e PD për të marr pjesë në procesin e ngritjes se organeve të reja të drejtësisë ne i bëjmë një shërbim të madh vendit, tha deputeti i PD.


Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i kërkoi opozitës që të ruajë një rol konstruktiv në këtë proces.


Shpresojmë që deri në fund do të luani rolin tuaj konstruktiv në reformën në drejtësi, tha ai.


Më i ashpër në fjalën e tij ishte deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se kandidatët në garë nuk i plotësojnë kushtet dhe disa prej tyre janë të politizuar.


Fjala e ONM u tha se do të ishte urdhër. Institucioni tha se tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet, por Sekretari i Kuvendit i kualifikoi, duke thyer ligjin dhe besimin e shqiptarëve. Pse nuk i respektoni ndërkombëtarët. Në rastin e kryeprokurorit ju u betuat për opinionin e tyre, por tani pse nuk e dëgjoni ONM. U nisëm të bënim reformë në drejtësi nga Xhoni, Fernando, Hahn dhe Juncer dhe përfundojmë tu japim shqiptarëve drejtësinë e Gencit, deklaroi Alibeaj.


18 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)