Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Tiranë - Elbasan (Loti I). Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.





SIpa këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për objekte me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 17 516 359.8 (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e pesëdhjetë e nëntë pikë tetë) lekësh. Shpenzimet procedurale, në vlerën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 17 516 359.8 (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e pesëdhjetë e nëntë pikë tetë) lekësh, të përballohet nga “Zëri investimeve”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, për vitin 2011. Në vendim thuhet se “ shpronësimi do të fillojë më 15.9.2011 dhe të përfundojë më 15.12.2011. Pronarët e objekteve, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ALUIZNI”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të ketë përfunduar procesi i legalizimit dhe i regjistrimit në ZVRPP Tiranë, si dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.



Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.