Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen e organizuar nga Kryetari i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi:

E falenderoj me mirënjohje Kryetarin e Komisionit të Posaçëm parlamentar, Fatmir Xhafën, që sot na krijon mundësinë për t'i shprehur një falenderim të madh të gjithë ekspertëve të nivelit të lartë. Të cilët, punuan pa ndërprerje për një vit e gjysmë, në grupin e punës për reformën kushtetuese. Në një klimë presioni, akuzash dhe fyerjesh të padenja, me një politikë që vendosmërisht bëri çmos për ta zvarritur e dështuar këtë reformë, ekspertët e nivelit të lartë, të angazhuar për reformën kushtetuese, konceptuan dhe finalizuan një produkt të denjë për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër.

U etiketuan që në fillim, djallëzisht, si ekspertët e Partisë Socialiste, ndërkohë që as edhe një prej tyre, as e ka kapërcyer ndonjëherë pragun e shtëpisë sonë politike, as ka kryer, në qoftë edhe një rast të vetëm, shërbimin më të vogël për llogari të Partisë Socialiste. Të kuptohemi, për mua, jo vetëm s'do të kishte qenë një cen, por, përkundrazi, do të ishte arsye për t'u krenuar që profesionistë të kalibrit të tyre të ishin ekspertë të Partisë Socialiste. Por e vërteta është se nuk janë të tillë, nuk përzgjodhën si të tillë dhe nuk punuan për këtë vepër madhore sikur të ishin të tillë.

Prandaj, si Kryeministër, unë ju kërkoj ndjesë për sulmet e vazhdueshme të barbarisë politike ndaj tyre. Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë që e çuan punën e tyre deri në fund, me përkushtim të madh, profesionalizëm të lartë dhe integritet të padiskutueshëm.

Duke falenderuar për praninë tij, këtu, mikun e shtrenjtë të Shqipërisë dhe besoj nuk e teproj po të them edhe një mikun tim të çmuar, Gianni Buquicchio, dua të ndaj sot, me të gjithë, për kënaqësinë legjitime të ekspertëve të reformës kushtetuese këtu të pranishëm, përshtypjen e shkëlqyer që mora nga delegacioni i Komisionit të Venecias për punën e tyre, gjatë takimit tonë në Tiranë. Besoj se ajo përshtypje, e shprehur me superlativa nga profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, është komplimenti më i mirë për një punë aq voluminoze, komplekse për vetë natyrën e saj dhe tejet të vështirë për vetë kushtet aspak optimale, në të cilat u krye me plot sukses.

Fati e solli që Shqipërisë së kësaj periudhe ndryshimesh intensive dhe ngjarjesh kaq të posaçme t'i gjenden pranë disa Xhanë, që nga Gianni De Biasi, tek Gianni Buquicchio. I pari, një lider betejash emocionuese të kombëtares sonë në fushat e blerta të sportit më popullor në botë; I dyti, një udhërrëfyes i urtë për të gjithë ne, në ujërat e trazuara të procesit të reformës më themelore për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër.

I dashur Gianni, t'i duhet ta mësosh sot se fjala Venecia është përdorur në Shqipërinë e gjashtë muajve të fundit, më shumë se ç'është përdorur nga të gjitha agjencitë turistike të botës, të marra sëbashku.

Ne, deputetëve shqiptarë, na kanë munguar vetëm gondolat në sallën e Kuvendit, për t'u ndjerë gjatë çdo sesioni si një grup turistik në zemër të ujërave të Venecias. Ndërkohë, - dhe ky është fakt, - fluksi i turistëve shqiptarë drejt Venecias këtë vit është më i larti i të gjithë kohërave, falë kësaj reklame marramendëse dhe të papërsëritshme që i është bërë në Shqipëri qytetit të ujit, për shkak të përfshirjes së Komisionit të Venecias në procesin e jashtëzakonshëm të Reformës në Drejtësi.

Nuk kam informacion si ju trajton Bashkia e Venecias, por ne si Kuvend, jam i bindur Kryetari e mbështet këtë ide, jemi gati të mbështesim Komisionin, nëse i kërkoni Bashkisë së Venecias një fee të posaçme për këtë vlerë të shtuar në promovimin e qytetit.

Por, ajo që ka më shumë rëndësi është mirënjohja për të gjithë pjesëtarët e misionit tuaj, për ndihmën e vyer dhe të pazëvendësueshme që dhanë për këtë proces historik. Ndërsa ju personalisht ishit vërtet fat për ne, sepse nuk sollët në këtë proces vetëm diturinë tuaj, por dhe eksperiencën e çmuar të dijetarit që ka qenë po këtu më shumë se 20 vite më parë kur Shqipëria filloi të shkruajë Kushtetutën e re. Eksperienca juaj unikale në vendin tonë e pasuroi ndihmën teknike të Komisionit të Venecias në ndjeshmërinë e njohjes së afërt të realitetit ku ne shqiptarët jetojmë e luftojmë me njëri-tjetrin.

Por, e vërteta është se, as ekspertët e nivelit të lartë, as niveli i lartë i këshillimit të Komisionit të Venecias, nuk do e kishin nxjerrë dot në bregun e Europës së Bashkuar anijen e Reformës kushtetuese për Drejtësinë, nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian s'do të kishin bërë si asnjëherë më parë në 25 vjet mbështetje për Shqipërinë, engjëllin mbrojtës të Reformës përballë dallgëve mbytëse të interesave të sistemit të korruptuar të drejtësisë.

Aleatët tanë të paçmueshëm e garantuan rrugëtimin e jashtëzakonshëm të reformës mes atyre dallgëve të mëdha qoftë përmes misionit tyre të ekspertëve, EURALIUS-it dhe OPDAT-it, qoftë me një angazhim masiv politik që u mishërua me ecurinë e përditshme të procesit përmes rolit historik të dy njerëzve, ambasadorëve; të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

S'do mjaftojnë kurrë falenderimet për angazhimin e tyre frontal, mundimin e tyre të pazakonshëm, durimin e tyre shembullor në çuarjen deri në fund të misionit që për shumëkënd dukej i pamundur, një mision që, në fakt, e dimë të gjithë, jo që nuk ka përfunduar, po sapo ka nisur me një sukses që premton shumë:

Reformën kushtetuese, e cila në fund u votua nga 100% të deputetëve të Kuvendit, falë 3 faktorëve themelorë;

Së pari, presioni i vullnetit popullor, që u mishërua natyrshëm qysh në krye të procesit, në bashkëpunimin e shumicës qeverisëse me aleatët strategjikë të Shqipërisë.

Së dyti, presioni i pazakonshëm i aleatëve strategjikë mbi bllokun kundër reformës, që arriti një kulmim vendimtar në fund të procesit.

Së treti, presioni që krijoi brenda atij blloku, kurajo e disa deputetëve që garantuan shumicën kushtetuese për votimin e reformës.

E rinënvizoj sot rolin e këtyre 3 faktorëve, - jo se dua të ushqej një polemikë të sajuar për të mbuluar diellin me shoshë, as se më intereson dueli për fronin e fitimtarëve, sepse modestisht besoj që këtu ka fituar Shqipëria; Shqipëria është shumë më e madhe se cilido prej nesh, dhe të gjithë ne të marrë së bashku, - por sepse dua të ndaj me të gjithë një bindje që rruga e kësaj reforme kaq radikale, nuk është më e lehtë tani që kaloi reforma kushtetuese, por do të jetë e vështirë në çdo hap, qoftë me 7 ligjet urgjente që kanë radhën tani, qoftë me zbatimin e tyre që është një histori krejt më vete dhe me dhjetëra ligjet e tjera që janë në planin e punës kolosale për këtë reformë.

Çdo hap do të jetë një betejë.

Reformë, pa betejë nuk ka. Për më tepër një reformë si kjo, as nuk mund të imagjinohej ndryshe nga ç'hoqëm dhe jam i sigurtë ç'do heqim akoma. Por, nëse kur nisi kjo ndërmarrje titanike për të pastruar pallatin e drejtësisë shqiptare, unë hyja tek një pakicë e vogël optimistësh që mendonin se Reforma në Drejtësi, më në fund, pas 25 vitesh, do të bëhej;

Sot falë votimit të 21 korrikut, unë hyj te shumica dërrmuese e shqiptarëve që besojnë se këtë reformë nuk e ndal dot më asgjë dhe asnjë. Qesha, sepse unë thashë: "21 Korriku"; Sali Berisha thotë: "22 korriku", Kryetari i Kuvendit thotë: "mesnata mes 21 dhe 22 korrikut".

Kemi një histori me datat që e pasurojmë në vijim.

Njësoj si ditën e parë, unë kam bindjen që me mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian; me ndihmën e Komisionit të Venecias, sa herë do të jetë nevoja; me diturinë e ekspertëve të nivelit të lartë, vendas e të huaj; me vullnetin e kësaj shumice qeverisëse dhe me gatishmërinë tonë për t'i pranuar opozitës çdo kërkesë që gjen dakordësinë e Brukselit dhe të Uashingtonit, ne do t'ia dalim përmes kësaj reforme ta shpëtojmë Shqipërinë nga kthetrat e drejtësisë së korruptuar dhe si fillim të çelim negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësimin e vendit tonë në Familjen e Europës së Bashkuar.

Mirënjohje, sinqerisht që të gjithëve!

Shumë faleminderit për një proces që vazhdon, por me një sukses që premton shumë!

Faleminderit!