09/04/2005  Nju-Jork, zhvillohet spektakli i bukurisë "Miss Shqiptarja Amerikë 2005"


Sonte në mbrëmje, në qendrën atraktive "Lehman Center for the Performing Arts" në Bronks, Nju-Jork, "Bota Promotions" me president Dervish Jahjaga, për të disatin vit me radhë po organizon spektaklin më prestigjioz të bukurisë së vajzave shqiptare në Amerikë, "Miss shqiptarja në Amerikë 2005".


Ky spektakël, që deri tani ka qenë nga më të vlerësuarit në botën e kulturës shqiptare në Amerikë, ka ftuar në mbrëmjen finale, pasarelën e bukurosheve më të zgjedhura shqiptare. Gjithashtu marrin pjesë dhe disa nga legjendat e muzikës dhe humorit shqiptar. Në listën e të ftuarve është vlerësuar ardhja e këngëtarit nga Kosova, Sabri Fejzullahu, së bashku me një këngëtar po aq të njohur, Sinan Vasalliu, të shoqëruar me humoristin e spikatur kosovar, Sevdai Radogoshi-Qamili.


Ndërsa nga diaspora vijnë enkas në Amerikë për këtë spektakël, këngëtarja e njohur në komunitetit shqiptar, Lirie Dedvukaj.


Për këtë vit moderimi i spektaklit "Miss shqiptarja në Amerikë 2005" i është besuar dy personaliteteve të spektaklit dhe këngës, top modeles Valbona Çoba dhe këngëtarit Sabri Fejzullahu. Modelja shqiptare Çoba vjen enkas në këtë spektakël nga "mbretëria" e artit botëror - Hollivudi, për të prezantuar spektaklin "Miss shqiptarja në Amerikë 2005".


Deri në detaje, përkujdesja artistike, skenografia, kostumografia dhe koreografia janë nën idetë e Emin Behramajt, të kompanisë “Emini Collection”, e cila edhe kjo është mysafire speciale nga Baseli, Zvicër.


Regjia është përgatitur nën përkujdesjen e gazetarit dhe publicistit shqiptar me banim në Zvicër, Llukman Halili, i njohur për organizime të tilla në Evropë dhe Amerikë.


Ky spektakël, që do të ndiqet me interesim nga mediat shqiptare në Amerikë, ka ekskluzivitetin e transmetimit televiziv nga "Televizioni 21" Kosovë.


Sponsor medial i këtij spektakli shqiptaro–amerikan, më të madh të kësaj gjinie në Amerikë, bëhet e ditur se është RTV 21, “Bota Sot” dhe “Tablloidi Anza”.


"Bota Promotions" me president Dervish Jahjaga, në Nju-Jork (SHBA), ka organizuar edhe mbrëmje të tilla spektakolare në qytetin metropol të botës. Më i fundit ka qenë koncerti i Nju-Jorkut, që iu dedikua për memorialin "Shaban Polluzha" në Kosovë. Kjo agjenci, e njohur për spektaklet, tani po organizon për çdo vit në Amerikë edhe spektaklin e bukurisë së vashave më të bukura shqiptare në diasporë.


Nëpërmjet këtij spektakli, shqiptaro-amerikanët kanë rastin më të mirë, që prej këtu të shohin koncerte, sfilata mode, ekspozita, të cilat shpalosin edhe vlerat më të mirëfillta kulturoro-artistike-kombëtare.


"Miss shqiptarja në Amerikë 2005" ka edhe ndihmën financiare të disa prej kompanive dhe biznesmenëve shqiptaro-amerikanë, nga më të suksesshmit në Nju-Jork dhe tre shtetet përreth. Për vashat konkurruese, përveç vlerësimit me kurorën e bukurisë, do të ketë edhe ndonjë dhuratë speciale, e zgjedhur prej koleksioneve nga më të njohurat në botë për veshjet e grave.


“Bota Promotions", e cila do ta organizojë spektaklin "Miss shqiptarja në Amerikë 2005" së bashku me organizatorët, të nesërmen (10 prill 2005), me pjesëmarrjen e bukurosheve shqiptare në Amerikë, artistëve, këngëtarëve dhe disa të ftuarve specialë, mësohet se do të shtrojë edhe një darkë me koncert, në lokalin "Green Tree Country Club".