Dyshohet se gjyqtari Artan Gjermeni është dërguar me urgjencë në spital i plagosur me thike.
Ai ka marrë 4 plagë me një mjet të mprehtë, por nuk ka pranuar të japë sqarime për atë që ka ndodhur. Burime policore thanë se po hetohet në dy pista.
E para ka të bëjë me detyrën. Persona ende të paidentifikuar mund ta kenë qëlluar dhe i kanë bërë presion për të mos treguar. E dyta pistë që po hetohet është ajo e një konflikti personal.
Një prokuror i çështjes dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes. Artan Gjermeni është gjyqtar i gjykatës së Tiranës prej me shumë se 10 viteve.
Artan Gjermeni ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të drejtësisë dhe kryetar gjykate në Lushnje.
Gjermeni: Ishte aksident, u preva me llamarinë
Pas lajmit për plagosjen e gjyqtarit Artan Gjermeni ka reaguar policia që ka shpërndarë për mediat një njoftim paraprak.
Sipas saj shtetasi A.Gj, ka shkuar te marre mjekim ne spitalin “Nene Tereza”, pasi ka deklaruar se aksidentalisht është prere me një mjet prerës (llamarinë) në shtëpinë e tij. Sipas tij ngjarja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë. Gjermeni u dërgua në spital për të marrë mjekime pasi kishte disa plagë. Policia gjithsesi po heton për çështjen pasi ka informacione se plagët janë në disa vende të trupit gjë që ka shtuar dyshime te prokurori dhe hetuesit.
Dyshimet mbi plagosjen e gjyqtarit Artan Gjermeni
Gjyqtari Artan Gjermeni u paraqit me disa të prera të një mjeti të mbrehtë mbrëmjen e së dielës në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë.
Mjekët panë se ai kishte disa plagë dhe se i plagosuri nuk kishte pranuar të jepte shumë detaje. Duke parë plagët ata kanë njoftuar policinë pasi e kanë detyrim të bëjnë një gjë të tillë sa herë ka dyshime. Përpara policisë dhe oficerëve të policisë gjyqësore, Gjermeni fillimisht nuk ka pranuar të japë detaje.
Më pas ai ka deklaruar se është plagosur aksidentalisht në garazhin e shtëpisë së tij ku është rrëzuar.
Megjithatë ai ka plagë në disa vende në trup. Nga burime të ndryshme mësohet se ai ka plagë në këmbë, në shpatull, në hije dhe bark. Duke parë llojin e prerjeve mbi hetuesit ka dyshime ndaj ata nuk e kanë mbyllur çështjen dhe po hetojnë mbi të. Së pari po shikohen lidhjet e tij për shkak të detyrës dhe së dyti konfliktet personale.
Vetë gjyqtari i ka mohuar këto pista çka po e vështirëson punën e grupit hetimor. Pas marrjes së ndihmës së parë gjyqtari i Gjykatës së Tiranës ka kërkuar të shkojë në shtëpi, por burime të besueshme tregojnë se ai eshte paraqitur ne nje spital privat ne Tiranë.