Ballkani gjithnjë e më shumë po bëhet një vend i pakuptueshëm dhe tepër kompleks për komunitetin ndërkombëtar, meqë shtetet që e përbëjnë këtë gadishull ende nuk kanë arritur t’i zgjidhin problemet e shekujve të kaluar në lidhje me egërsinë nacionaliste, teprinë e egoizmit frikacak, si dhe të instinktit grabitës, dyshimi për të ecur në progres nga ndërkombëtarët po shtohet gjithnjë. Jemi në shekullin XXI dhe pozita gjeopolitike e gjeostrategjike e këtij gadishulli ka ndryshuar pothuajse në të gjitha nivelet, si nga aspekti i të qenit komb, po ashtu edhe nga aspekti i të qenit popull por edhe nga aspekti i favoreve të popujve të ardhur nga jugu dhe anët e tjera e që janë bërë shtete, ku mund të thuhet së sot këta popuj të ardhur janë bërë shtet dhe kanë krijuar “mitet” e tyre të pathyeshme as nga realiteti e as nga fakti historik dhe sot në këtë kohë bashkëkohore dhe të ndryshimeve ata ende mbështesin shpresat e rrejshme në këtë term iluziv të quajtur “mit”.


Neve jemi mësuar që në çdo lëvizje të proceseve dhe ndryshimeve në këtë rajon të kemi edhe procese, të cilat çojnë ujë në mullirin e trazirave mospajtimeve dhe të problemeve të tjera të ngjashme si këto, të gjitha problemet ballkanike e kanë zanafillën në dy koncepte të thirrura; nacionalizëm integral dhe nacionalizëm-jonormal, irritues, iluziv dhe kafshëror. Të gjithë e dinë se jo të gjithë popujt janë kombe dhe jo të gjithë kombet e sotme në shekullin XXI janë një realitet i determinuar historikisht. Sepse po të zbulojmë petkun dhe vellon e këtij abstraksioni të habitshëm të kombeve të sotme në Ballkan dhe popujve tjerë mund të thuhet se shumica prej tyre janë të ndërtuara keqas dhe nga një “mitizim” dhe “falsitet” i një historie të ardhur nga poshtërimi dhe mohimi i plotë i atij realiteti të quajtur burimor determinues dhe me një kokëfortësi gjeografike që nuk mund të lëkundet dot nga themelet e saj të etnosit real në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë. Arsyeja që sot duhet ta ngacmojë kombet dhe popujt ballkanikë është ajo e të qenit shtet i krijuar i mbështetur nga një realitet historik argumentues dhe të një etnosit të qartë e të determinuar e jo të infiltruar të ardhur të mitizuar etj., etj., dhe tjetra e ajo e kombeve që ka lindur nga vetë përbërja e tij dhe nga vetë zanafilla e tij e largët siç është kombi shqiptar, që sot ka mbetur në një hamendje të madhe të një rruge që ka shtrembëruar historia e atyre, që nuk kanë arritur kurrë të bëjnë histori ose e bënë atë në kurriz të të tjerëve siç ishin otomanët dhe sllavët e jugut.


Duke mos tentuar të zgjatem se dihet nga historianët dhe studiuesit se Gadishulli Ballkanik është një rajon ku është mbjellë një ligësi e madhe dhe mjerim i madh, dhe këtë vetëm një pastërti dhe një riorientim e restaurim mund ta shmangë nga një katastrofë e ardhshme që mund ta kanosë atë, sepse ky rajon ende përmban hendeqe, mbeturina otomane e bizantine që vetëm sa e pengojnë procesin e paqtimit të plotë të këtij gadishulli nga këto sëmundje të hershme. Por ne duhet të shtrojmë pyetjen sot se a është lodhur komuniteti ndërkombëtare duke insistuar të na bëjë të zot nga pazotësia jonë dhe të na bëjë shtet demokratike pa prodhim të stabilitetit afatgjatë dhe barazisë si themel i demokracisë bashkëkohore? Nga kjo mund të thuhet se në Ballkan ka shtete që përbëjnë një sistem të qartë të demokracisë dhe se kanë arritur një stabilitet të qëndrueshëm, si dhe janë pjesë e përbashkët e projekteve të Bashkimit Evropian, për të ndërtuar ura të paqes dhe demokracisë në vendet e dala nga konfliktet e përgjakshme. Por këto shtet janë shumë të pakta që bëjnë pjesë në këtë gadishull, por që kanë ecur drejt ritmit të proceseve bashkëkohore dhe integrimeve që kanë sjell gjithashtu një rezultat të gatishmërisë për të i shërbyer paqes dhe demokracisë duke lënë kështu të kaluarën të merret me të vdekurit.





Por nuk do të thotë se me këto shtet që sot janë kontribuues të paqes dhe stabilitetit e demokracisë së qëndrueshme mund të paqësohet Ballkani këto janë shembuj të mirë të heqjes së atij muri ndarës apo më mirë të rrëzimit të të gjitha paragjykimeve të iluzioneve të miteve të së kaluarës dhe kapërcimi i hendeqeve për të ndërtuar ardhmërinë e përbashkët të kombeve në një sistem vlerash thelbësore të demokracisë dhe proceseve tjera progresive e strategjike. Ndërkaq, pas ndarjes së Malit të Zi nga Serbia nga një referendum i mbajtur në vitin 2006 dhe pas deklarimit të Kosovës shtet në vitin 2008, shpresat për të ekzistuar ende një ndërtesë hijerëndë dhe tepër e qarë në vetvete mbaruan dhe vdiqën së bashku me ndarjen e këtyre shteteve nga Serbia e mitizuar dhe Jugosllavia inekzistente. Sepse ishte vetëm në letër termi “Jugosllavi” ndërsa lojën e luante Serbia për të gjitha dhe të gjitha “kombësitë” e quajtura në atë kohë ishin më shumë spektatore të kësaj ndërtese të rrejshme se sa aktore. Sot në shekullin e ri kemi probleme të tjera, rrëzimi i ndërtesës së quajtur Jugosllavi nuk ishte problemi i zgjidhjes së atyre nyjave të cekura më lart apo sëmundjeve të hershme sepse sot edhe pse Kosova është shtet ajo nuk është shtet sovran ajo nuk kontrollon tërë territorin e saj, kështu që ende Kosova nuk ka arritur të jetë një shtet i demokracisë së qëndrueshme dhe së drejtës, Mali Zi edhe pse është shtet ende nuk ka arritur të zgjidhë konceptin e të qenit shtet që respekton të drejtat e pakicave siç është pakica shqiptare në Mal të Zi.


Pastaj Bosnja e Hercegovina, edhe pse është shtet, ajo ka shtete brenda shtetit dhe kjo është një rrezik permanent i një konflikti të egër, pastaj problemi i çështjes në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, janë një mori çështjesh që zanafillën e kanë në sëmundjet e hershme ballkanike e sot shkaktojnë probleme dhe ngërçe të mëdha të proceseve pozitive në këtë rajon. Gjithashtu Serbia, ende jeton në një gjendje të mjerë të mitizuar të nacionalizmit të egër dhe kafshëror, duke mos hequr dorë nga Kosova dhe realiteti i ri i krijuar në Ballkan e shumë gjëra tjera, të cilat ajo i luan në skenën ndërkombëtare për të mos lejuar ecjen përpara të proceseve të rajonit drejtë rrugës së integrimeve euro-atlantike. Dhe krejt në fund të gjitha këto çështje të hapura janë plagë të atyre sëmundjeve të hershme ballkanike dhe këto e çështje para së gjithash e dëmtojnë fqinjësinë e mirë, e prishin stabilitetin e rajonit, shkaktojnë një ngrirje të gjatë të proceseve të këtij rajoni në ndërtimin e paqes dhe demokracisë e integrimeve si dhe ngulfatin demokracinë dhe e shkelin atë me dy këmbë në kokën e zhvillimit të saj. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar një ditë do të lodhet me këto probleme dhe do të thotë kështu “ne vetëm mund të asistojmë, por jo edhe të funksionalizojmë shtetin dhe ta bëjmë atë të jetë shtet i së drejtës në rastin e Kosovës, ndërsa në raste tjera në rajon ata mund thonë, sepse kjo duhet të nxitet dhe të ketë forca pozitive politike të të gjitha shteteve të rajonit që mund ta çojnë në një gjendje të re dhe ta shembin mitin, duke larguar kështu një herë e mirë sëmundjen e hershme ballkanike, nga mesi i tyre”.





*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare