Nga Express më 09 janar 2011 në ora 15:55
Ndihmat e mitrovicasve për Shkodrën, pas vërshimeve, po zhvillohen me ritëm të shpejtë dhe do të përfundojë nesër, ka thënë drejtori për Shpëtim dhe Emergjenca në Mitrovicë, Behxhet Bala.
Ai ka thënë se qytetarët janë treguar solidarë, duke ofruar veshmbathje, artikuj të ndryshëm ushqimorë dhe ushqim për bagëti.
Edhe njëherë po dëshmohet solidariteti i përhershëm i qytetarëve tanë për vëllezërit shkodranë në këto momente të vështira, ka thënë Bala për Kosovapress.
Sipas tij, pos ndihmës së ofruar nga drejtuesit e Procredit Bank njësia në Mitrovicë, aksionit i është bashkëngjitur edhe sindikata e Postës, kompani të njohura mitrovicase si Nuka, Broja market, etj., duke ofruar sasi të konsiderueshme me batanije, nënkresa, jorganë dhe gjëra të ngjashme.
Gjëra ushqimore dhe veshmbathje kanë ofruar edhe fabrika e betonit Iliria, hipermarketi Bamex, ndërkohë që aksioni është mbështetur edhe nga kompani edhe individë të tjerë të shumtë.
Sipas tij, duke parë kërkesën dhe nevojën e madhe të fermerëve shkodranë për ushqim të ndryshëm të bagëtive, është apeluar te fermerët dhe bujqit mitrovicas që varësisht nga mundësitë, të ofrojnë mbështetjen me ushqim të bagëtive.
Aksioni do të përfundojë të hënën kur edhe priten rezultatet dhe shifrat e aksionit, si dhe llojit të gjësendeve të grumbulluara, ka thënë Bala.