Lëvizja "Mjaft!" kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Bashës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, thekson si të domosdoshëm vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve nga ministri Basha, duke kërkuar njëkohësisht edhe transparencë maksimale të këtyre hetimeve.



"Lulzim Basha, një ministër e deputet pa imunitet, për shkak se Prokuroria e Përgjithshme po heton mbi të kaluarën e tij si ministër i Punëve Publike e Transporteve, në vend që të sqarojë të gjithë shqiptarët për faktet tronditëse që media ka publikuar vazhdimisht, sipas të cilave ai rezulton të jetë i përfshirë në afera ndërkombëtare korruptive, hesht dhe qesh para kamerave", citohet në peticionin që ka lëshuar dje lëvizja "Mjaft". Duke iu referuar këtij peticioni ndaj shefit të diplomacisë, veçohet se "ministri Basha, rezulton, sipas medias, të jetë një prej bashkëpunëtorëve kryesorë në Shqipëri të një prej të dyshuarve nga Interpoli si krye-mafioz në të gjithë rajonin, Damir Fazlliç". Sipas deklaratës së "Mjaft!": "Për sa kohë ai fshihet akoma nën mburojën e një të dyshuari mbi të cilin mund të praktikohet akoma e drejta e prezumimit të pafajësisë, e për sa kohë që asnjë gjykatë nuk e ka shpallur ende fajtor, Basha mund edhe të pretendojë ligjërisht të qëndrojë akoma në postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë". Për këtë arsye, kjo lëvizje kërkon largimin e menjëhershëm të shefit të diplomacisë shqiptare.