Gjatë ditës së djeshme, aksi rrugor nacional Peshkopi-Bulqizë ka qenë gjatë gjithë paradites i mbuluar me mjegull dhe lagështirë e akuj në mjaft segmente të saj. Kjo e ka vështirësuar së tepërmi lëvizjen e lirë të automjeteve në këtë rrugë, sidomos në orët e para të mëngjesit. Gjithashtu, një situatë e tillë është bërë shkak edhe për shtimin e numrit të aksidenteve. Kështu, përsëri në ditën e djeshme, rreth orës 09.30 minuta, në aksin rrugor Shupenzë-Bulqizë, në fshatin Peladhi, janë aksidentuar dy autovetura që po lëviznin në këtë rrugë. Një makinë tip "Ford", e drejtuar nga shtetasi F. Meta, është përplasur me një fuoristradë tip "Nisan" me targa të huaja, ku si rezultat i kësaj përplasjeje është plagosur jashtë rrezikut për jetën në kokë fëmija 10-vjeçar i drejtuesit të "Fordit". Menjëherë fëmija është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku dhe është mjekuar për plagën e marrë. Rrugorët e policisë Bulqizë bëjnë me dije se shkak për aksidentin është bërë mjegulla e dendur dhe prania e akullit në rrugë. Dy ditë më parë, po në këtë segment rrugor, janë shënuar dy aksidente me dalje të automjeteve nga rruga, për shkak të akullit. Ndërsa një autobus i linjës Prishtinë-Tiranë ka dalë nga rruga në afërsi të Shëmrisë dhe vetëm një mrekulli i ka shpëtuar të 40 pasagjerët që ndodheshin në të. Autobusi po udhëtonte në drejtimin të Tiranës, ndërsa për shkak të mjegullës dhe akullit ka devijuar nga aksi në një prej pikave më të rrezikshme të rrugës Kukës-Tiranë, në zonën e Shëmrisë, ku vit pas viti shënohen viktima nga aksidentet rrugore. Burime të policisë thanë se autobusi i linjës së Prishtinës ishte spostuar disa metra nga asfalti dhe ishte ndaluar në disa drurë mu në buzë të greminës prej 300 deri në 400 m lartësi. Grupi i gatshëm i policisë së Kukësit, i cili këto ditë me mjegull dhe ngricë patrullon me disa njësi, gjatë 24 orëve ka ndihmuar në nxjerrjen e pasagjerëve nga autobusi, duke mbajtur nën kontroll panikun e shkaktuar.