SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Dy motrat nga Peshkopia, Thëllënza dhe Fildane Keshi, nuk janë agresive në mënyrë akute, por vuajnë nga sëmundje kronike e prapambetjes mendore si dhe skizofrenisë. Këtë përfundim e kanë nxjerrë mjekët e spitalit të Shkodrës, të cilët kanë ekzaminuar gjendjen fizike e mendore të dy motrave, që mbaheshin të lidhura prej vitesh nga i ati. “Diagnoza e përcaktuar nga mjekët e spitalit psikiatrik të Shkodrës, kufizon qëndrimin e tyre në këtë qendër, duke krijuar mundësinë e kthimit të tyre pranë familjes ose në një qendër rehabilitimi”, pohon mjekja specialiste, Valdete Hoxha. Sipas mjekes kanë përfunduar ekzaminimet dhe është përcaktuar diagnoza e dy motrave Keshi. “Është menduar që ato do të dërgohen në një nga qendrat rezidenciale Casa Famiglia, pasi janë të sëmura kronike, por jo akute. Mjekët pohojnë se sëmundja e dy motrave ka ardhur nga një sërë faktorësh socialë, ndërsa ka ndikuar edhe mostrajtimi siç duhej i këtyre rasteve nga ana e familjarëve të tyre”. Specialistja pohon se 47-vjeçarja, Thëllënza Keshi, është me prapambetje mendore që në moshën 8-vjeçare, duke pasur kufizime në zhvillimin e saj të të menduarit dhe të folurit, ndërkohë që 38-vjeçarja Fildane është me skizofreni kronike. “Të dyja motrat nga dita e dytë e prezencës së tyre në spital kanë shfaqur qetësi dhe jo agresivitet, nuk janë të shoqërueshme me të sëmurët e tjerë, duke e izoluar veten mes njëra-tjetrës”, pohon Valdete Hoxha. Nisur nga gjendja e tyre ato nuk mund të qëndrojnë më në Spitalin e Shkodrës. “Duke mos pasur skizofreni akute, politika e spitaleve të këtij profili nuk u lejon mbajtjen për një kohë të gjatë. Kjo do të thotë që ato mund të kthehen edhe pranë familjes së tyre ose në qendra rezidenciale”, pohojnë burime zyrtare nga Drejtoria e Spitalit të Shkodrës. Sipas tyre, të gjithë të sëmurët mendorë duhen trajtuar edhe nga psikologët dhe nga punonjësit socialë. “Nuk e di se si është në Peshkopi organizimi i punës, por dy motrat kanë nevojë edhe për psikologun, edhe për punonjësin social. Njëra prej tyre, që vuan me parapanezë, ka nevojë edhe për kujdestar që ta ndihmojë për kryerjen e nevojave personale, për të lëvizur në pozicione të ndryshme etj. Ndërsa tjetra ka skizofeni kronike e jo akute. Në spitalin tonë është duke u zbatuar një reformë e shëndetit mendor, nga ku do ketë vetëm 35 shtretër për të sëmurët akutë. Ata të sëmurë me diagnozën e dy motrave do të dërgohen në shtëpizat komunitare, të cilat në Shkodër janë tre dhe priten të inaugurohet dhe një e katërt.