Mjekët gjermanë në një spital të Berlinit ku po trajtohet aktivisti rus, Pyotr Verzilov, thanë se ai ka gjasa të jetë helmuar.


“Përshtypja dhe faktet që kemi tani, si dhe ato që janë siguruar nga kolegët në Moskë, sugjerojnë se është shumë e mundur të bëhet fjalë për helmim”, tha Kai-Uwe Eckardt, mjek në spitalin Charite në Berlin, në një konferencë shtypi të martën.


Kolegu i tij, Karl Max Einhaeupl, tha se deri më tash nuk ka shpjegim tjetër se përse Verzilov është në gjendje të tillë dhe se nuk ka dëshmi se ai ka vuajtur nga ndonjë sëmundje afatgjate.


Eckardt tha se Verzilov është nën kujdes intensiv prejse ka arritur në Berlin, mbrëmjen e 15 shtatorit, porse nuk është në rrezik për jetën.


Mjeku tha se simptomat tregojnë për një ndërprerje të pjesës së sistemit nervor të Verzilovit, që rregullon organet e brendshme.


Megjithatë, substanca përgjegjëse për helmimin e mundshëm nuk është përcaktuar ende.


Eckardt po ashtu tha se Verzilov, aktivist kundër Kremlinit, u trajtua mirë në Moskë përpara se të fluturonte drejt Berlinit.


18 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)