Prindërit e pacientit Kledi Pali, pohojnë se, përveç lëndimit që fëmijët vuajnë nga sëmundjet e rënda, durojnë edhe ofendimet e personelit


Është vetëm 2 vjeç, por mbi të rëndojnë 3 sëmundje shumë të rënda. Sëmundjen që ka në kokë, asnjë nga kirurgët tanë nuk e merr përsipër ta operojë, pasi kjo ndërhyrje mund të realizohet vetëm jashtë shtetit. Përveç faktit që shteti ynë nuk merr asgjë përsipër, që të dërgojë jashtë shtetit Klejdi Palin nga Lezha, ajo që e lëndon akoma më shumë nënën e tij, është sjellja e personelit shëndetësor në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” që, sipas saj, disa prej bluzave të bardha, nuk kanë fare etikë komunikimi me ta. Madje, prindërit pohojnë se personelit, nuk i bëhet vonë aspak, duke u thënë pacientëve të vegjël për sëmundjet mendore që kanë “budallenj”, sjellje kjo që, nuk është aspak normale për bluzat e bardha. Për sjelljen e pahijshme të bluzave të bardha, shprehet shumë kritik edhe presidenti i Urdhrit të Mjekut për Rajonin e Tiranës, Faik Toska, i cili thekson se, shpesh, personeli nuk e zbaton etikën e të sjellurit.


Ankesa


Nëse fati na dënoi me fëmijë të sëmurë, të paktën personeli të tregohet më njerëzor dhe të mos na lëndojë me fjalë të rënda. Kështu shprehet nëna e 2-vjeçarit, Klejdi Pali, së cilës nuk i pushojnë lotët tek tregon se ndihet tepër e lënduar nga sjellja e personelit. “Nuk arrij të kuptoj sesi bluzat e bardha, mund t’i thonë fëmijës vetëm 2 vjeç, se është budalla, madje, më zë të lartë, pa pikën e problemit. Sigurisht që ne ua dimë diagnozat fëmijëve tanë, por mjekët duhet të kenë etikë në komunikimin e tyre. Nuk flas për të gjithë, pasi ka edhe shumë të mirë, por një pjesë e tyre nuk e meritojën të mbajnë bluzën e bardhë, sepse nuk dinë të sillen me pacientët”, - pohon nëna e Kledit, duke shtuar se, kjo sjellje, nuk ka qenë vetëm ndaj djalit të saj, por edhe ndaj pacientëve të tjerë. Ndërkohë, ajo pohon se, ankesën e saj ua ka bërë të qartë personelit shëndetësor që i lëndojnë me fjalë, por si përgjigje ka marrë fjalë të tilla si: “Fundja këto janë diagnozat e fëmijëve të tyre dhe se prindërit tashmë i dinë”. “Këto bluza të bardha kanë bërë betimin e Hipokratit, por mesa duket e kanë harruar shpejt atë. Mjeku duhet të kurojë, jo vetëm me mjekim, por edhe me fjalë dhe jo të na lëndojnë më shumë për hallet që na kanë zënë”, - pohon nëna e pacientit 2-vjeçar, duke shtuar se ata e dinë ngarkesën që ka personeli, por ky i fundit, nëse thotë një fjalë të mirë, kjo do të ishte mbështetje e madhe për prindërit e lënduar, e jo t’i shkatërrojnë më shumë me sjelljen e tyre aspak profesionale.


Sëmundjet


Kledi i vogël dergjet në Pediatri me 3 diganoza të rënda. Sipas nënës së tij, mjekët e kanë nxjerrë me diagnozën hidrocefeli (ujë në kokë), ndërhyrje që nuk relizohet në vendin tonë. Për këtë diagnozë po presim ta nxjerrim jashtë shtetit dhe, për këtë, falenderojmë priftërinjtë e Kishës së Lezhës, të cilët na kanë premtuar. Ne nuk kemi gjendje ekonomike që të marrim përsipër me shpenzimet tona ta dërgojmë në Itali”, - pohon nëna e Kledit. Por, si të mos mjaftonte kjo, zemra e tij e vogël, gjithashtu ka probleme, pasi ka lindur me vrimë në zemër, çka e vështirëson akoma më shumë gjendjen shëndetësore të Kledit të vogël. “Mjekët më kanë thënë se vuan edhe nga ftohja, për të cilën merr shpesh mjekime. Lutemi që ai të bëhet mirë”, - pohon nëna e Kledit


Presideneti i Urdhrit të Mjekut për Tiranën, Toska, thotë se është shumë problemtike mënyra e komunikimit të perosnelit


Toska: Bluzat e bardha nuk dinë të sillen, janë të ashpër


Bluzat e bradha, shpesh, harrojnë etikën me sjelljen e tyre, duke ofruar komunikim shumë të vrazhdë dhe aspak profesional ndaj pacientëve. Kështu u shpreh presidenti i Urdhrit të Mjekut për Rajonin e Tiranës, Faik Toska, duke pohuar se, etika e sjelljes së bluzave të bardha, ëshstë një ndër problemet kryesore që ndesh sektori i shëndetësisë. “Është një problem që e ndeshim shpesh. Bluzat e bradha duhet të jenë të kujdesshëm me mënyrën sesi duhet të sillen ndaj pacientëve. Fatkeqësisht, shumë prej tyre, janë të vrazhdë ndaj pacientëve dhe kjo sjell që, këta të fundit, të lëndohen pikërisht për faj të personelit”, - pohon Toska. Sipas tij, një mjek, edhe nëse nuk është shumë i afirmuar në profesionin etij, nëse ka një komunikim korrekt dhe të ngrohtë ndaj pacientëve, do të arrijë të jetë shumë i suksesshëm dhe profesional dhe, mbi të gjitha, do të fitojë respektin e pacientëve. Ndërkohë, ai pohon se, pikërisht për etikën e komunikimit të personelit mjekësor, do të organizojë një aktivitet me Urdhrat e Mjekut të të gjithë rajoneve të vendit.


 


Godo: Spitalet do të kalojnë me vetadministrim


Decentralizim të buxheteve të 12 spitaleve më të mëdha dhe centralizim të spitaleve të vogla drejt atyre të mëdhenjve. Kjo do të thotë se, reforma në shëndetësi, do të përfshijë 12 spitalet rajonale të vendit, të cilët do të kalojnë me vetadministrim. Këtë e deklaroi dje Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në ditën e dytë të seminarit ndërkombëtar për hepatitet virale, organizuar nga Departamentet përkatëse të Sëmundjeve Infektive të Universitetit të Tiranës dhe atij të Barit (Itali), në mjediset e Qendrës Kulturoretë Forcave të Armatosura në Tiranë. Sipas saj, Ministria, nëpërmjet reformës spitalore, synon menaxhim më të mirë dhe me efikasitet të fortë të buxheteve të spitaleve, të cilët do të decentralizohen. "Do të kemi një decentralizim të fondeve dhe kompetencave drejt spitaleve rajonale nga qendra dhe në të njëjtën kohë, do të kemi një centralizim të kompetencave, të fondeve të spitaleve të vogla drejt rajoneve", - tha Anila Godo, duke shtuar se, të bësh një menaxhim të mirë (kjo do të bëhet me supervizionin e fortë të strukturave ministrore, por do të jetë i kontrolluar dhe nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor), do të thotë që ne e kemi për detyrë me specialistët, të përgatisim protokollet e detajuara për çdo akt diagnostik dhe terapeutik, duke arritur në një kosto të çdo shërbimi që ne i ofrojmë qytetarit dhe, ky kostifikim, do t'u relatohet spitaleve të rajoneve.