Një shumë marramendëse, rreth 10 milionë euro dyshohet se janë grabitur sot në aeroportin e Rinasit, nga një avion që do të udhëtonte drejt Vjenës.


Kjo është shuma paraprake e konfirmuar nga burime policore por ende jo zyrtare. Paratë i përkisnin disa kompanive të sigurimit dhe sapo ishin ngarkuar në avion kur u morën nga autorët.


Mësohet se në një urë pranë lumit ku u gjet dhe viktima, është gjetur edhe furgoni brenda të cilit kishte armatim.


Ndërkohë autorët dyshohet se janë larguar me një automjet tjetër, i cili u gjet i djegur mes Tapizës dhe Bathores.


Ndërkaq bëhet e ditur se policia ka shoqëruar mbi 40 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, mes tyre dhe punonjës të sigurisë së aeroportit.


Më herët pasagjerët kanë thënë se kanë parë personat të veshur me rroba si Komando të afroheshin tek barku i avionit dhe kanë kërcënuar punonjësit.


Avioni ishte i ndezur dhe pamë nga ana e djathtë e avionit tre persona me kapuçë në kokë, të veshur si komando të afroheshin tek barku i avionit. Kujtuam se bëhej fjalë për një stërvitje. Ata kanë kërcënuar me armë punonjësit dhe i urdhëruan të shtrihen, kanë thënë pasagjerët.


Më pas autorët kanë marrë paratë në barkun e avionit dhe janë larguar fillimisht më këmbë e më pas me një furgon.


Në ndjekje të tyre u vunë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të policisë kufitare të Rinasit. Ka pasur shkëmbim zjarri me policinë dhe gjatë këtij shkëmbimi zjarri pati një viktimë. Autori që mbeti i vdekur kishte një armë kallashnikov me vete, tre krehëra dhe një granatë.