Paris, sheshi «Denfert Rochereau». «Luani» madhështor i Belfort-it, atëherë nuk ishte vendosur këtu. Ishte një shesh me pemë, që toka poshtë fshihte varrezat e të varfërve të hedhur aty në shekujt XVI-XVII, stola dhe rrugët që shkonin nga shumë drejtime, por njëra prej tyre merrte drejt bulevardit «Arago».


Pikërisht andej kaloj shpesh për të takuar mikun tim Omer Kaleshi, piktorin që punon si një murg në atelierin e tij apo në shtëpizën e tij, atje në katin e shtatë, nën çati, ku mbi kokën e tij fillon hapësira qiellore, bota mistike e hyjnive, nëse ata ekzistojnë. E pra, sa herë kaloj, më shfaqet imazhi i Modiglianit, me atë pallton e tij prej veluri të zi dhe shallin e kuq rreth qafës, si një varfanjak fisnik, pasi ishte piktura që e bënte atë fisnik, piktura dhe dashuria, dashuria për artin dhe femrën.


Ishte erotizmi dhe jo më kot, kur flitet për historinë e erotizmit në art, nuk mund të mos përmendësh nudot e mrekulluara të Modiglianit, fytyrat, linjat, gjinjtë dhe trupin e përkorë, atë që e bënte të pulsonte shpirtin dhe penelin e tij. Modigliani (që unë e njoha përmes albumeve që qarkullonin fshehurazi në vitin 1975 (Ali Oseku e adhuronte këtë piktor) jetonte përmes pikturës dhe i pandarë me të. Pikërisht në atë shesh, pas një pije në «bistrotë» aty pranë, shpesh në këndin «Vavin», në cep te bulevardit Montparnasse, miqtë e tij artistë kishin dashur ta çonin në shtëpi por Modi nuk kishte pranuar. Në atë ditë janari, ata e kishin lenë aty, në ngricën e natës, dhe disa orë më vonë në kthim e kishin gjetur po aty, të mbledhur kruspull, me kollën e përhershme të tij, si një tuberkuloz i mjerë.


Atë mesnatë, Modi ishte në jerm. Ata e morën dhe e çuan në shtëpinë e tij, e vunë në shtrat ku sdo të ngrihej më, pasi tri ditë më vonë ai do të vdiste. Këto imazhe sigurisht nuk i kam parë. Ishte viti 1919. Ato i kam parë në një film për jetën e Modiglianit, por dhe imazhet e atij sheshi që tashmë pikëtakoj gjithnjë, ata stola aty, atelieri më pas, përgjatë bulevardit, të gjitha këto më risjellin figurën e piktorit, i cili sapo kishte filluar ta ndjente se piktura e tij po shitej dhe po fitonte shpirtrat e njerëzve.


Por gëzimi dhe shpresa e tij ishte si një flakë qiriri që u shua shpejt, pasi vetë jeta boheme, sëmundja e tij, vuajtja e tmerrshme e piktorit të rrugës, e njeriut që dehej në bistrotë e Montparnasse-it, gjithçka do ta shkatërronte gradualisht deri sa një dorë e ftohtë ngrice e shuajti dhe atë dritëz të zbehtë që ishte vetë jeta e gjallë e Modiglianit. Por jeta tjetër, ajo e artistit, ajo do të bënte një udhë të gjatë, pasionante, të furishme, që do ta vinte piktorin ndër piktorët më të mëdhenj botërorë të shekullit XX.


Kur Modi vdiq, gjithë bota artistike e Parisit shkoi ta ndiqte pas në varrezat e «Père Lachaise» për ta përshëndetur për herë të fundit. Të nesërmen në mbrëmje, vonë, pasi kishte shkuar në apartamentin e prindërve, Jeanne Hébuterne, gruaja dhe muza e fundit e tij, nëntë muajshe shtatzënë me fëmijën e dytë, ishte hedhur nga dritaret. Jeanne nuk e kishte duruar ikjen e Modiglianit. Ajo i kishte thënë se do ta ndiqte pas. Madje dhe fjalët e fundit të Modit para vdekjes të tilla ishin «kemi rënë dakort me Jeanne ajo do të vijë» Çfarë vallë donte të thoshte Modi me ato fjalë?…


Ky ishte akti i dytë i tragjedisë që godiste familjen Modigliani, ndërsa atje, në atelier, kishte mbetur ende tabloja e fundit e Modit: një portret i Jeanne-s. Modi hynte kështu në legjendë bashkë me tragjedinë e tij, bashkë me britmën e tij për artin. «La Ruche» «La Ruche» në frëngjisht do të thotë «Kosherja e bletës» dhe ajo sot ndodhet jo larg shtëpisë time, në cep të Montparnasse.


U quajt kështu nga skulptori Alfred Boucher, i cili kur kishte parë strukturën metalike të ndërtuar nga Gustave Eiffel për Ekspozitën Universale të Parisit më 1900, (ku prodhuesit e verës së Bordeaux-së prezantuan verërat e tyre), ai mendoi të vendoseshin aty artistët: ato 60 atelierë të vegjël, së bashku do të krijonin një koloni të vërtetë arti. Dhe «La Ruche» prodhoi një mjaltë të mrekullueshëm, të paparë ndonjëherë, mjaltin e artit të madh të «Ecole de Paris», prodhuar nga artistë me emër si Chagall, Modigliani, Kisling, Vlaminck, si dhe shumë piktorë nga vendet e lindjes, Spanjës, nga Rusia, etj. Atje u njoh dhe me piktorët e rinj Soutine apo Zadkin, Fuxhita dhe Van Dongen.


Ishte një qendër e vërtetë kulture, ku ata jepnin shfaqje teatrale, recitale, muzikë folklorike, aty ishte strehuar një çast dhe Trotski dhe Lenini, që në «Closerie de Lilas» bisedonin për revolucionin që duhej bërë në Rusi. Kur kujtonte vitet e tij në «La Ruche», Chagall shkruante në kujtimet e tij se «atje midis katër mureve dhe unë u bëra piktor. Në Paris më dukej se po zbuloja gjithçka. Asnjë akademi nuk do më mësonte më shumë se Parisi, pasi shikoja muzeumet dhe vitrinat e tij».


Ndërsa Soutine, kur kujtonte më vonë Modiglianin, thoshte «Gjithë gjenia e Italisë ishte te Modigliani!» Aty erdhi dhe Modigliani, pas një eksperience disa vjeçare në Montmartre kur zbarkoi në vitin 1906 dhe punoi në atelietë e «Bateau Lavoir», ku punonin gjithashtu Picasso e të tjerë. Aty përjetoi kohën e kubizmit dhe futurizmit, të cilit Modi i qëndroi larg dhe ku filloi dehjet e para, duke fituar bukën e gojës me skicat e portretet e tij që shiste në bistrotë e Montmartre-s.


Piktori i ri nga Livorno e Italisë, biri i një socialisti italian që do të burgosej për idetë e tij, kishte ardhur në Montmartre të krijonte artin e tij. Por disa vite më pas, artistët pothuaj u shpërngulën drejt Montparnasse. Sot «La Ruche» ekziston gjithnjë. Një grup artistësh të rinj kanë atelierët e tyre të artit. Historia vazhdon, por ajo që u krijua në dy dekadat e para të shekullit XX duket se nuk do të përsëritet më: aty lanë gjurmë piktorët më të mëdhenj të kohëve moderne.


Në fillimet e tij Modi vizatonte, madje merrej dhe me skulpturë, i ndikuar veçanërisht nga arti afrikan, si dhe Picasso, por shpejt ai e la skulpturën. I duhej të mbijetonte dhe për këtë, vizatimi ishte mjeti i vetëm për të jetuar. Dhe në këtë ethe të jetës së mjerë, dëshpërimi mbytej me verë, me rum, me alkool, siç kishte ndodhur me një Baudelaire, me një Rimbaud, me një Verlaine Piktori tjetër Vlaminck, që ishte në «La Ruche» kujtonte se Modi nuk kishte asnjë para në xhep dhe me vizatimet e tij shkonte te tregëtarët e pikturave ti shiste.


«Një ditë, një nga tregëtarët pranoi tia blinte 35 franga copën, por kur u futën brenda, duke parë se ai kishte nevojë të ngutëshme, ai i tha 5 franga. Modi u nxeh, rrembeu thikën që ishte në një tavolinë dhe me të përshkoi gjithë vizatimet që ishin mbi të dhe kështu u largua duke turfulluar!» Kështu endej Modi i varfër, që herë-herë me pathos recitonte nëpër rrugët e Parisit vargjet e Dantes, poetit të tij të parapëlqyer, atëherë kur në dëshpërim klithte se ishte një hebre dhe niste pastaj të këndonte këngën «kaddish», këngën që njeh çdo hebre dhe ku njeriu kërkon falje për mëkatet e tij.


Më pas Modi u lidh me një «bookmaker», Georges Chéron, i cili ia blinte vizatimet për pak para dhe një tablo për një «louis dor», një monedhë floriri. Atëherë, që të mbushte barkun, Modi filloi të punonte për të. Çdo mëngjes ai shkonte në bodrumin e tij, ku i vinte në dispozicion penelat, telajon, kavaletin dhe bojrat, si dhe shërbyesen e tij si modele. Pastaj e mbyllte dhe e nxirrte që andej në mbrëmje. Tabloja kishte mbaruar dhe ai merrte një «louis» me të cilën bënte festën e vogël me shokët e tij në bistrotë e Montparnasse.


«Kur Modi mbaronte, – kujtonte sipërmrrësi i tij Chéron, – ai i binte derës së bodrumit me këmbë dhe unë ti jepja të hante diçka. Kështu, një kryevepër lindëte». Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Modi shkoi të regjistrohej si vullnetar për të shkuar në front, por si atë ashtu dhe mikun e tij piktor Soutine nuk i pranuan, si të sëmurë që ishin. U dëshpërua shumë dhe vetëm pija ia lehtësonte shpirtin. Atëherë Modi shkonte te Maria Vasilieff në 21 avenue du Maine, për të ngrënë një borsh për 50 centim.


Pikërisht në këtë kohë përmes Max Jacob ai njihet dhe me koleksionistin tjetër të pikturave Paul Guillaume, i cili i siguroi një atelier të vogël për të punuar në «Bateau Lavoir». Por pikturat e tij nuk shiteshin dhe i dëshpëruar në kulm, një natë u shtri në shinat e tramvajit që ti japë fund jetës së tij. Shokët e tij shkuan ta shqisnin nga shinat, ndërkohë që ai thërriste «Dua të vdes».


Por shokët i thonin: «Ti vlen më shumë se aq!» Po, ai vlente shumë për artin e botës! «Mama Rosalia» Rosalia ishte një emigrante italiane që mbante një restorant të vogël në Rue Campagne Première. Çdo mbrëmje, Modi do të shkonte atje, po kështu dhe drekave, pasi artisti skishte asnjë «dysh» në xhep dhe atje Rosalia u jepte të hanin artistëve të rrugës, si të ishte nëna e botës.


Shpesh Modi i bënte një skicë, të cilën ajo e vinte te një gozhdë, por vizatimet shtoheshin dhe ajo gjithnjë i varte nëpër gozhda, pasi nuk e dinte vlerën e tyre, madje jo rrallë me vizatimet e tij ndiznin sobën. Ajo nuk e kuptonte pikturën. Modi për të, ashtu dhe të tjerët, ishin njerëz që kishin mbetur në mes të katër rrugëve dhe që duheshin ndihmuar. Atje pinte dhe gotën e verës së tij.


Dhe i nxehur nga vera, ai fillonte të shkonte sa nga një kabare në tjetrën, në Montparnasse, aty ku mblidheshin artistët, në «La Rotonde», «Le Selecte», «Closerie des Lilas», ku ishin miqtë e tij Apollinaire e të tjerë. Te Rosalia vinte dhe Utrillo për të pirë një «chianti» me Modiglianin. Ajo dikur kishte qenë modele e Odil Redon dhe e disa piktorëve të tjerë. Por tani Rosalia ishte trashur e megjithatë ishte si një mama italiane që u shërbente çorbën e saj.


«I shkreti Amedeo, – kujtonte më vonë Rosalia, – kur Modin e gjenin të shtrirë rrëzë ndonjë peme, e sillnin menjëherë te unë. E shtrija atje pas dyqanit dhe e mbuloja. Sa i bukur ishte! Santa Vergine! Të gjitha femrat rendnin pas tij» Te Rosalia, Modi njohu dhe femrën moderne Kiki, një nga yjet e Montparnasse, e cila pozonte për të. «Ajo që e habiste, – kujtonte më pas ajo, – ishte pubisi im pa qime. Shpesh ai vinte pranë meje, afronte hundët si për të kontrolluar se mos gjatë seancës, qimet kishin filluar të dilnin


Ndërsa Modi pëshpëriste me vete: «E habitshme! Pa qime!… » Po në restorantin e vogël të Rosalisë, e kishte gjetur atë dhe gazetarja angleze Beatrice Hastings, e cila gjatë Luftës së Parë Botërore ishte korrespondente e revistës New Age. Ishte një poete, avanguardiste dhe një feministe e orëve të para. Në fillim Modi asaj iu duk i ashpër dhe i pisët, por dy ditë më vonë në «La Rotonde» ajo zbuloi një tjetër Modi, të pastër, xhentil, të bukur, një Modi që e përshëndeti duke hequr kapelen e tij dhe duke u skuqur si një femër? I pëlqeu, u dashuruan. U bë modelja e tij dhe lidhja e tyre u bë e stuhishme, pasi sa herë pinte shumë, Modi do të zihej me të. Pastaj binte qetësia.


Ajo shtrihej në kanape dhe ai e pikturonte, i humbur në linjat dhe ngjyrat e tij. Në kujtimet e saj ajo shkruante: «Ai ka bërë një viztim të shkëlqyer për mua. Ngjaj si më e bukura Virgjereshë Mari në gjithë botën dhe kjo pa shtuar asgjë mbi të» Poeti Blaise Cendras, miku i tij i viteve 1910, i cili ishte kthyer nga lufta me një krah të prerë nga një gjyle topi, kujtonte kohën kur Modi takohej me të lart në Montmartre: ««Ah sa kemi pirë bashkë me Modiglianin, aq sa kur e mendoj, tmerrohem. Sot dua të tregoj historinë më të bukur të dehjes sonë.


Një pasdite, takoj Modilianin poshtë rrugës «Rue Dauphine». – A ke para? – më pyeti ai. – Pesëdhjetë franga! Po ti? – Njëqind! – Mrekulli, do shkojmë të pimë, – i thashë unë. Dhe hymë te një dyqan të blenim verë duke shkuar pastaj prapa Vert-Galant, buzë Senës, përballë Bateau-Lavoir, ku menjëherë i nxorrëm dy-tri shishe. – A ke spango?- më pyeti Modiliani. – Jo, përse? – Që ti lemë shishet në ujë të freskët, meqë bën vapë. Dhe Modiliani u ngrit që të bisedonte me patronin e «Bateau-Lavoir» që ti jepte një rrodhan spangoje. Shishet i futëm në fund të ujit dhe kohë më kohë nxirrnim një prej tyre, e hapnim dhe e boshatisnim duke ngritur shëndete për gratë disi plaka që lanin teshat e tyre, secila para grumbullit të vet.


Rrobalarëset kanë një gojë të hidhët dhe duhet menduar se jo çdo gjë kalon pa të qeshura dhe provokime të çdo lloji, pa fjalë të turpshme të atyre grave që ne u përgjigjeshim gjithnjë me humor dhe pa llafe turpi. Të ngacmuar nga vera që po na zinte, një çast, Modiliani i ofroi një shishe plakës më të shëmtuar, me kusht që ta puthte në buzë. Meqë i kishte rënë në kokë ta bënte me çdo kusht, dhe pa dyshuar, Modiliani filloi të ecë në ujë për tiu afruar asaj magjistrice që kishte zgjedhur për ta puthur, por ja ku na u fundos.


Të gjitha gratë shpërthyen në të qeshura plot zhurmë, pasi ishte diçka e papritur. Atëherë u turra pas tij që ta shpëtoja, pasi ai nuk dinte not. Kur e kapa për flokësh isha në hall pasi kisha veçse një krah. Por një shqelm i fortë më nxorri në sipërfaqe. Ishte patroni i «Bateau Lavoir» që u hodh dhe na peshkoi të dyve. Një zhaurimë tallëse vinte nga ato plakaruqe, ndërkohë që ne filluam të thanim rrobat në breg. Patroni na mbulonte disi, ndërkohë që Modiliani lakuriq dhe i bukur si Jean Baptiste, boshatiste shishet që kishin mbetur dhe thoshte se do ta bënte sërrish atë që bëri.


Më së fundi na përzunë që andej. Ishte koha, sepse Modiliani filloi të turfullonte i dehur dhe me ato kallamishtet e vjetra ishin gati të na rrihnin. – A do të vish Amedée? Atëherë zemërimi i tij u kthye nga unë, pasi Modiliani e kishte tmerr ta thërrisnin Amedée Modi binte shpejt në dashuri. Ai e donte ferën, kishte nevojë për të. Aty, në linjat e saj, në mishin që pulsonte, në gjirin që tundej lehtë, në lëkurën e bardhë që drithërohej, ai gjente frymëzimin e tij.


Portrete dhe nudo, portrete që i gjejmë në tablotë e mrekullueshme të tij, nga Nu douloureux (Nudo e dhimbshme), një nga më të bukurat e fillimeve të tij, në Portret me sy jeshil, e shumë të tjera. Të mrekullueshme janë gjithashtu portretet e mikeshave të tij të afërta, ato që dashuroi dhe u çmend pas tyre. Thora Tardel vinte nga Suedia pranë mikut të saj Nils. Ajo donte të mësonte skulpturë në atelierin e Bourdelle, në zemër të Montparnasse.


Ata e takuan Modin në La Rotonde, në tempullin e tij dhe Modi i bëri një portret në laps. Menjëherë i propozoi ti bënte një pikturë në telajo. Dhe kureshtare siç ishte, e entusiazmuar nga italiani simpatik,Thora shkoi menjëherë. «Ishte atje lartë, – do të kujtonte Thora më vonë, – në fund të një shkalle të pjerrët. Poshtë këmbëve në atelier kishte qymyr, shkrepse, tavolina me penelat e tij, bojrat, një gotë, një shishe rum, dy karrige, një kavalet dhe sipër një telajo.


Anash kishte një sobë të ngrohtë. Modi pikturonte shpejt, pinte rum kundër kollës, siç thoshte ai, por kollitej shumë. Gruaja e tij nuk hynte në atelier. Ishte shtatzënë, e vockël, disi e trembur dhe kishte një llloj mosbesimi ndaj meje» Edhe Lunia Czechowska, do të ishte një nga mikeshat, apo një nga modelet dhe frymëzueset e tij, me të cilën ai bridhte kafeneve dhe pastaj mbyllej në atelierin e tij për ta pikturuar, ulur në karrige apo shtrirë në kanape.


Burri i saj, një i afët i familjes Zborowski, kishte shkuar në front: Zborowski ishte një njeri shumë fin – kujtonte kjo çeke më vonë, – por njëkohësisht ishte kureshtar. Nganjëherë hynte në atelierin e tij.


Modi i urrente ata që i hynin kështu. Ishte si një lloj dhunimi i vendit të shenjtë, i santuerit të tij. Modi afirmonte kështu nevojën e përqëndrimit të heshtur, pothuaj religjioze me modelin, te e cila ai përpunonte hiret e trupit, ashtu siç thoshte dhe Kisling se kur një grua pozon për një piktor, ajo i jepet atij Dhe kështu ishte për të, apo për të gjitha ato që u shtrinë në kanapenë e mjerë të Modiglianit. Ato i jepeshin artistit dhe artit, hireve të tyre. «Ai ndjente aq shumë për mua sa donte që unë të braktisja gjithçka dhe të ikja me të».


Në shkurt të vitit 1917, gjatë një feste karnavali, ai takoi Jeanne Heturbene në Academie Colarossi. Ajo përgatitej për konkursin që të hynte në Akademinë e Arteve të Bukura. Shokët e saj e quanin Noix de Coco. Modi atëherë ishte 33 vjeçar dhe ra menjëherë në dashuri. Në korrik të atij viti ata vendosën të jetojnë së bashku në 8, Rue de la Grande Chaumière. Modi pikturoi atje 13 tablo me portretin e saj si dhe shumë vizatime. Në 3 dhjetor të atij viti, koleksionisti i tij, Zborowski, poet dhe tregëtar arti, organizoi një ekspozitë personale të Modiglianit në galerinë «Berh Weil».


Tashmë tablotë e Modit kishin filluar të shiteshin. Por ditën e ekspozitës, meqë nga xhamat e vitrinës dukeshin nga rruga tablotë e tij, një turmë e madhe njerëzish u grumbulluan. Nudot e tij po tërhiqnin gjithnjë e më shumë kalimtarë. Njerëz të shumtë hynin në galeri dhe habiteshin me tablotë e mjeshtrit, por ndërkohë erdhi policia e cila menjëherë urdhëroi që tablotë të hiqeshin nga muret, si një cënim i «moralit publik». Një oficer policie që u dërgua në vend, filloi të thërriste se ky ishte një skandal publik


Çhipokrizi! Dhe ku, në një vend si Parisi, ku ndërkohë gëlonin shtëpitë publike me mijra prostituta. Megjithëse atë natë u shit vetëm një tablo, që Modigliani të mos zhgënjehej për artin e tij, koleksionisti Neter bleu pesë tablo. Modi në këtë kohë ishte një piktor me pagesë: 500 franga në muaj. Shumë pak për një piktor që do të linte gjurmë të mëdha në artin botëror. Dhe Modit kjo nuk i dilte për familjen e tij, prandaj dhe në letrat dërguar miqve apo familjes ai ankohej kur shkruante: «To be or not to be Tani po punoj si një negër.


Luan Rama


Gazeta Shqip