Muajin e kaluar, nuk do të kishin rënë dakort, por pas javë të tera përgatitjesh të kujdesshme, liderët e bllokut europian i plotësuan edhe dy poste të rëndësishme drejtuese të BE-së: Kryeministri polak, Donald Tusk do të jetë President i Këshillit Europian, ministrja e Jashtme italiane, Federica Mogherini, fitoi garën për titullin më të gjatë zyrtar të unionit.



Ajo do të zërë vendin e Catherine Ashton-it si Përfaqësuese e Lartë për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë së bllokut.

Ka pasur, dhe ka akoma, vende anëtare të shqetësuara nga mungesa e eksperiencës së zonjës Mogherini dhe fakti që ajo mund të tregohet ca si shumë e butë me Rusinë. Kryediplomatja italiane tani ka mundësinë t’iu tregojë skeptikëve se gabohen. Të gjithë e dimë se rruga ushtarake nuk është zgjidhje për Ukrainën, tha ajo pas nominimit. Ajo që ne duhet të bëjmë është të mbajmë të hapur shtegun diplomatik.

Prania e Tusk-ut nga ana tjetër, do të ndihmojë të zbutet droja e atyre që kundërshtuan caktimin e italianes. Në postin e tij të ri, ai sjell edhe kritikën e fuqishme polake ndaj veprimeve ruse në vendin e saj fqinjë.

Sigurisht zgjedhja e drejtuesve të dy institucioneve kyçe të BE-së nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën sesi do t’i përgjigjet blloku krizës në Ukrainë, por duket të ketë pasur për çdo rast një peshë të rëndësishme në vendim.

Ka sidoqoftë dhe disa arsye të tjera. Së pari, një prej posteve qendrore të BE-së i shkon një gruaje, një tjetër për të parën herë i takon një politikani prej një vendi ish komunist të Europës Lindore.

E nevojshme ishte gjithashtu dhe gjetja e një ekuilibri mes qendrës së majtë e asaj të djathtë. Tani vëmendja do të kthehet tek pjesa e mbetur e portofoleve në komisionin e ardhshëm europian, njoftime që pritet të bëhen publike javën e ardhshme nga kreu i tij, Jean-Claude Juncker.
/ Top Channel